Rripi i Gazës/ Të paktën 32 të vdekur nga bombardimet izraelite në Jabalia

schedule12:16 - 10 Nëntor, 2024

schedule 12:16 - 10 Nëntor, 2024

Dhjetëra të vdekur dhe të plagosur pas bombardimit izraelit të kësaj të diele ndaj një ndërtese në Jabalia, që ndodhet në veri të Rripit të Gazës.

Pamjet televizive të postuara në mediat sociale tregonin rreth 12 trupa të mbështjellë me batanije në dyshemenë e një spitali.

Banorët e zonës thanë se godina që mori goditjen strehonte të paktën 30 persona. Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA, si dhe media pranë Hamasit, raportuan se numri i të vdekurve nga sulmi izraelit ishte 32. Megjithatë, nuk kishte asnjë konfirmim të menjëhershëm për numrin e të vdekurve nga ministria lokale e Shëndetësisë.

Shërbimi i Mbrojtjes Civile njoftoi se operacionet e tij ishin ndërprerë nga bastisjet e vazhdueshme izraelite në dy qytete dhe një kamp refugjatësh në Gazën veriore, të cilat filluan më 5 tetor, pa bërë të ditur numrin e viktimave nga sulmi.

Izraeli ka njoftuar dërgimin e forcave ushtarake në Jabalia, Beit Lahia dhe Beit Hanoun në veri të Rripit të Gazës, me qëllim neutralizimin e militantëve të Hamasit që po nisin sulmet nga këto qytete, por edhe për të parandaluar rindërtimin e tyre të mundshëm.

Forcat e armatosura izraelite kanë njoftuar neutralizimin e qindra militantëve në këto zona, që nga fillimi i operacionit të ri ushtarak./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!