Rrëzohet një dron në Moskë, autoritetet mbyllin aeroportin Vnukovo

schedule08:16 - 18 Gusht, 2023

schedule 08:16 - 18 Gusht, 2023

Zyrtarët rusë kanë akuzuar Ukrainën për sulm me dron në ndërtesat në Moskë, duke shkaktuar shpërthim që është dëgjuar në kryeqytetin rus. Kryetari i qytetit, Sergei Sobyanin, ka thënë se mbrojtja ajrore e ka rrëzuar dronin, por mbetjet e tij kanë rënë në Qendrën Expo të qytetit.

Qendra Expo është hapësirë e madhe që përdoret për konferenca dhe konventa, dhe është më pak se 5 kilometra larg Kremlinit. Ky është vetëm një prej sulmeve që janë regjistruar javëve të fundit në Moskë.

Në pamje të paverifikuara në rrjetet sociale është parë tym i hirtë duke u ngritur në qiell. Ukraina nuk e ka komentuar akuzën ruse, mirëpo zyrtarët në Kiev nuk e pranojnë kurrë nisjen e sulmeve me shënjestër kryeqytetin rus.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se pas aktivizimit të sistemeve ajrore për mbrojtje, droni e ka “ndryshuar drejtimin”, duke rënë në ndërtesë jo të banueshme në zonën ku gjenden disa ndërtesa qeveritare. Sipas saj, nuk ka raportime për viktima. Agjencia ruse e lajmeve TASS, ka thënë se aeroporti Vnukovo në Moskë është mbyllur përkohësisht, pas aksidentit dhe më vonë është hapur prapë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!