Kombet e Bashkuara nuk janë në gjendje të verifikojnë raportet për rrëzimin e avionit rus në rajonin e Belgorodit, afër kufirit me Ukrainën, i cili dyshohet se mbante ushtarë të kapur ukrainas, tha në një deklaratë nënsekretarja e përgjithshme e OKB-së për çështjet politike, Rosemary DiCarlo.
Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbajtur mbrëmjen e së enjtes, DiCarlo tha se Rusia dhe Ukraina po kryejnë hetime të veçanta për incidentin dhe se Kievi ka bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar.
Sipas saj, OKB-ja nuk është në gjendje të verifikojë raportet apo rrethanat e aksidentit, por, siç tha ajo, “është e qartë se incidenti ka ndodhur në kuadër të pushtimit rus të Ukrainës dhe luftës në vazhdim”.
“Për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm, ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të interesuara që të përmbahen nga veprimet, retorika apo pretendimet që mund të nxisin më tej një konflikt tashmë të rrezikshëm”, tha Di Carlo.
Ajo tha se, sipas të dhënave të zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, janë vrarë 10.312 civilë dhe janë plagosur 19.530, dhe paralajmëroi se ky numër është vazhdimisht në rritje. Di Carlo u bëri thirrje palëve që të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
“Sekretari i Përgjithshëm ka dënuar pa mëdyshje të gjitha sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile, kudo që të ndodhin. Ato janë të ndaluara sipas ligjit ndërkombëtar dhe duhet të ndalojnë menjëherë,” tha DiCarlo./abcnews.al