Policia e Shkodrës ka reaguar për rrëzimin e avionit në zonën e Vermoshit, mesditën e sotme. Uniformat blu janë të rezervuara me detajet.
Sipas policisë, është marrë informacion se në zonën e Vermoshit, në kufirin ndarës ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, ku vendi i saktë nuk është përcaktuar ende është rrëzuar një avion i vogël.
“Më datë 04.10.2021, rreth orës 12:30, është marrë informacion se në zonën e Vermoshit, në kufirin ndarës ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi (vendi i papërcaktuar) është rrëzuar një avion i vogël.
Menjëherë janë nisur shërbimet nga DVP Shkodër dhe Komisariati i Policisë Malësi e Madhe, së bashku me Policinë Kufitare për verifikimin e rastit,” thuhet në njoftimin e policisë.
Sakaq, burime për ABC bëjnë me dije se mjeti fluturues është pikasur nga barinjtë në Velipojën e Vermoshit, rreth orës 09.00 të mëngjesit. Pas një ore, piloti ka tentuar të grihet në ajër, por është përplasur me disa pemë.
Lexo edhe: Misteri i rrëzimit të avionit në Vermosh: Bëri dy ulje, një makinë “zhduku” pilotin e pasagjerin
Ndërkohë në lidhje me këtë incident ka reaguar për ABC dhe ministria e Mbrojtjes, e cila thekson se “mjeti nuk është i joni”. Fatmirësisht nuk ka asnjë të lënduar nga avioni, por nuk dihet se ku ndodhen piloti, dhe nëse kishte pasagjerë. Ndërkaq nuk ka asnjë informacion në lidhje me shkaqet e kësaj ulje.
Ulja e këtij avioni është si një skenë që na rikthen në vëmendje rastet e avionëve të rënë në Durrës dhe Lushnje, ku u zbulua se po përdoreshin për trafik kanabisi. g.v/abcnews.al