Rrëzimi i avionit në Etiopi, gjenden kutitë e zeza

schedule22:38 - 11 Mars, 2019

schedule 22:38 - 11 Mars, 2019

Në Etiopi janë gjetur kutitë e zeza të avionit që u rrëzua një ditë më parë. Nga të dhënat paraprake rezulton se teksa ishte ende në ajër, piloti i avionit ka kërkuar ndihmë, por autoritetet thonë se është ende herët për të dalë në përfundime.

Autoritetet që po hetojnë incidentin e avionit të linjës ajrore të Etiopisë, që u rrëzua ditën e diel teksa udhëtonte drejt Kenias, kanë gjetur kutitë e zeza të mjetit fluturues. Sipas mediave ndërkombëtare, dy pajisjet u gjetën në vendin e ngjarjes ku avioni tip “Boeing 737” u përplas në tokë. Mjeti po udhëtonte nga kryeqyteti i Etiopisë, Adis Abeba drejt atij të Kenias, Nairobi dhe humbi kuotë 6 minuta pasi ishte ngritur në ajër me 157 persona në bord.

Pas incidentit, linja të shumta ajrore në Afrikë por edhe në Kinë ndërprenë përdorimin e Boeingëve, ndërsa Europa vijoi me përdorimin e tyre. Avioni i prodhuar para pak muajsh u rrëzua në afërsi të qytetit Bishoftu, rreth 60 kilometra në jug-lindje të kryeqytetit etiopian. Në bord udhëtonin pasagjerë të 30 kombësive të ndryshme, përfshirë këtu kenianë, etiopianë, kanadezë, britanikë dhe europianë.

Rezulton se pak momente përpara rrëzimit, piloti kishte raportuar për vështirësi në fluturim dhe kishte kërkuar të kthehej sërish në Adis Ababa. Por për autoritetet është ende herët për të arritur në përfundime. “Në këtë fazë ne nuk mund të përjashtojmë asgjë dhe nuk mund t’i atribuojmë askujt dhe asgjëje shkakun e rrëzimit, sepse sipas ligjit ndërkombëtar duhet të presim përfundimin e hetimeve”, deklaroi një zyrtar vendas. Rezulton gjithashtu se shikueshmëria në momentin e incidentit ishte e mirë, por monitoruesit e trafikut ajror raportuan se shpejtësia vertikale e avionit kishte qenë e paqëndrueshme pas ngritjes në ajër./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!