Rrëzimi i avionit me municione, eksperti tregon pse duhet pasur kujdes edhe dy muaj në Kavallë

schedule16:26 - 18 Korrik, 2022

schedule 16:26 - 18 Korrik, 2022

Autoritetet po fokusohen tek kutitë e zeza të avionit të kompanisë ukrainase, të Antonov që u rrëzua në Greqi një ditë më parë. Përmes tyre, të cilat janë ende në kërkim, do të jepen përgjigje për rrethanat e tragjedisë ajrore që ndodhi në Kavallë.

Mbrëmjen e së dielës përfundoi operacioni për nxjerrjen e tetë trupave nga avioni, ndërsa vazhdojnë përpjekjet për largimin e raketave nga zona.

Gjatë natës, batalioni për pastrimin e minave tokësore vazhdoi të lokalizonte municionet e shpërndara nga rrënojat e avionit.

Profesori i Inxhinierisë së Mjedisit, Dimosthenis Sarigiannis , foli për Newsbomb.gr për pasojat që mund të ketë djegia e ngarkesës së rrezikshme të transportuar nga Antonov në mjedis dhe banorët e zonës.

“Nga sa mësuam, Antonov mbante predha të cilat mund të kishin pasur fosfor të bardhë që është një substancë që irriton mukozën e gojës, hundës dhe syve. Kjo përputhet me përshkrimin e banorëve që fillimisht raportuan një ndjesi thumbuese në sytë dhe gojën e tyre.

Pentoksidi i fosforit është një përbërës kristalor i bardhë që mund të shkaktojë sa më sipër, por nuk është një substancë bioakumuluese dhe nuk qëndron në mjedis, që do të thotë se në afat të gjatë nuk do të ketë asnjë rrezik për banorët apo ekosistemin”, shpjegoi ai.

“Megjithatë, duhet theksuar se djegia e pjesëve plastike dhe metalike që ndodhi kur avioni u rrëzua mund të mobilizojë metale të rënda apo edhe dioksina dhe furane. 50%-60% e këtyre komponimeve bien në tokë dhe mund të kontaminojnë tokën dhe ujin sipërfaqësor. Në fakt, duke qenë se aksidenti ka ndodhur në të mbjella , duhet të shqyrtohet nëse këto përbërës kalojnë në zinxhirin ushqimor dhe përmes tij te njerëzit. Për këtë arsye, mostrat duhet të merren brenda një rrezeje prej rreth një kilometër nga vendi i rënies”, shtoi ai, ndërsa theksoi se për dy muaj duhet treguar kujdes në zonë.

“Së fundi, në një periudhë prej rreth një deri në dy muaj, do të ishte mirë që të merren mostra nga kulturat e zonës për të përjashtuar mundësinë që zinxhiri ushqimor të jetë kontaminuar me përbërës që përmbajnë dioksina dhe metale të rënda”, tha profesori grek. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!