Rreziku që të “turpërohemi” nga Jared Kushneri

schedule22:33 - 17 Mars, 2024

schedule 22:33 - 17 Mars, 2024

Nga Mero Baze

Debati mbi projektet për investime të dhëndrit të ish-presidentit Trump, Jared Kushner, në Shqipëri, nuk është debat shqiptar dhe nuk lidhet me problematikën që kanë investime të tilla të mëdha këtu. Duke qenë dhëndëri i një prej presidentëve më kontrovers të SHBA, ai natyrisht do të jetë në syrin e shtypit, për më tepër që Trump duket se po vjen përsëri në horizont.

Por ky nuk është problemi ynë.

Problemi që ne kemi me investimet e mëdha në turizëm, nuk kanë të bëjnë me origjinën, racën apo përkatësinë politike të investitorëve të huaj. Ndaj tyre duhet të jemi të hapur dhe falënderues që vijnë në Shqipëri.

Problemi që ne kemi me ta, është jo se na turpërojnë ata që vijnë, por se ne turpërojmë veten ngaqë nuk dimë t’i kthejmë në investitorë real, duke qenë se nuk kemi ende një shtet eficent, që tu përgjigjet në kohë dhe të mos t’i lërë në letër ato projekte.

Nuk ka mbetur njeri pa sulmuar projektin e Portit të Durrësit, pas të cilit qëndron një nga grupet më të fuqishme të biznesit në botë  Emaar Group, i lidhur dhe me princin e Emirateve të Bashkuara.

Ata kanë nisur interesin për këtë projekt në vitin 2018, dhe dukej sikur do bëhej brenda vitit. Prej vitit 2018 deri në vitin 2024, ata janë akoma duke bërë letra me shtetin shqiptar dhe duke dëgjuar dëngla populistësh që po na shkatërrojnë industrinë e turizmit.

I njëjti grup u ftua nga Serbia përpara nesh të ndërtonte një projekt të ngjashëm në Beograd buze lumit. Ata  përfunduan punë me letra për gjashtë muaj dhe me projektin për tre vjet. Edhe në Serbi pati akuza nga opozita ndaj tyre, se do sillte arabë në Beograd, por në fund u pa se të gjitha ata që blenë ishin serb dhe asnjë arab nuk bleu prona atje, edhe pse kjo nuk do ishte ndonjë mëkat.

Pra diferenca që ekziston mes burokracisë së shtetit shqiptar dhe atij serb në këtë rast, është shumë e madhe në disfavor tonë. Shto këtu dhe kulturën politike të populistëve tanë që mallkojnë kapitalin e madh në emër të popullit të varfër dhe vetë jetojnë si kapitalist të mëdhenj, dhe situata bëhet dhe më banale.

Edhe rasti i Jared Kushnerit rrezikon të na turpërojë për këtë shkak.

Frika është se ne do të turpërohemi nga shpejtësia me të cilën Serbia mund t’i bëj gati letrat e projektit këtij investitori dhe vonesa që do t’i sjellim ne me burokracinë tonë, që është pjesë e një shteti të kapur nga interesa të vogla biznesmenësh lokalë që i ndryshojnë ligjet sa herë u duhen për hallin e tyre dhe pastaj kthehen në pengesa për investime të mëdha.

Në gjithë këtë histori dhe zhurmë që shoqëron emrin e tij si biznesmen, ne nuk duhet të shqetësohemi dhe aq shumë për biografinë e tij në SHBA apo lidhjet me fondin saudit, se në SHBA ka gjykata dhe prokurori dhe i zgjidhin vetë ato probleme nëse ekzistojnë.

Ne duhet të shqetësohemi se si të ngremë një shtet efikas, që jo vetëm të mos t’i lërë të ikin këta investitorë pa investuar këtu milionat e tyre, por të jemi dhe të drejtë dhe të barabartë për të gjithë që të bëhemi një vend atraktiv për investimet e huaja.

Problemi i dytë që ka Shqipëria me investitorët e huaj, është çështja e pronësisë së tokës dhe ushtria e madhe e zaptuesve dhe falsifikatorëve që rrethojnë çdo investim të madh.

Fakti që të huajt e rëndësishëm nuk vijnë në Shqipëri, por dhe kur vijnë duan të kenë punë vetëm me toka shtetërore, është pikërisht kjo. Një investitor i madh i huaj nuk ka nerva ta zgjidhë çështjen e pronësisë në bregdet siç e zgjidh Zamir Manem Shefqet Kastrati, Artan Dulaku apo dhjetëra investitorë të tjerë të mëdhenj shqiptarë, që nuk futen në panik nga kurthet e pronave në Shqipëri se e njohin kontekstin e tyre. Dhe e zgjidhin shqiptarçe në shumicën e rasteve.

Investitorët e huaj e duan të pastër këtë histori. Ata, nëse i çon në Ksamil, të nesërmen do t’i gjesh të rrethuar nga njerëz me shtiza në duar duke thënë këtu është pjesa ime, po s’kam letra, kjo është pjesa ime se e kam rrethuar me 97 etj. Pastaj do të marrë në telefon një “investitor” zaptues nga Dubai, ku është fshehur përkohësisht dhe do të thotë ik andej se do derdhet gjak.

Të huajt nuk vijnë për të investuar në një vend ku të gjithë ndjehen pronarë pa letra dhe gjithë pronarët me letra ndjehen të dorëzuar.
Ata mund të vijë vetëm përmes garancive sovrane, të dhëna nga shteti shqiptar për interesa të larta të zhvillimit të vendit.
Dhe në këtë pikë, ne duhet të jemi të lumtur nëse dikush prej tyre nuk çmendet deri në fund por qëndron dhe investon këtu. Deri tani nuk ka ndodhur. Deri tani heronjtë e turizmit janë biznesmenët shqiptarë që e çajnë këtë rrethim me mjete rrethanore.

Ndaj lajmi se Jared Kushner do të investojë në Shqipëri, për ne më shumë se sa lajm i madh, është sfidë e madhe nëse ne do të arrijmë ta mbajmë këtu. Akoma më shumë kthehet në sfidë nëse ai arrin të investoj në Serbi dhe këtu të dështojë nga burokracia jonë.

Për të tjerat mos u shqetësoni. Beteja mes demokrateve dhe republikanëve në Uashington nuk është beteja jonë. Është betejë e tyre. Shqipëria bën mirë të jetë me SHBA, se presidentët venë e vijnë. Dikush do akuzojë djalin e Biden të lidhur me Shqipërinë, të tjerët do akuzojnë dhëndrin e Trumpit të lidhur me Shqipërinë, madje të tjerë do akuzojnë se dhëndëri i Trumpit është i lidhur me armikun e Trumpit, McGonigal. Kjo është punë e debatit të tyre politik

Sfida jonë, është shteti i dobët, administrata e korruptuar dhe pasiguria juridike që vazhdojmë tu krijojmë investimeve të huaja. Kur të ndreqim këto e kemi fituar betejën dhe nuk do shqetësohemi më për emrat që do investojnë në Shqipëri pasi do të jemi në gjendje tu ofrojmë atë që kërkojnë.

Deri tani i vetmi përparim mbresëlënës lidhet me iniciativën e Edi Ramës për të ftuar në Shqipëri studiot më të mira të arkitektëve në botë që kanë liri të bëjnë eksperimente me projektet e tyre duke i dhënë Shqipërisë një pamje atraktive dhe investimeve në turizëm një emër ndërkombëtar që lidhet me arkitektët. Pra deri tek projektet 3D jemi mirë falë pasionit të Edi Ramës. Puna është që të vetmit që kanë ndërtuar industri turizmi janë investitorët shqiptarë për të cilët qeveri është detyruar tu japë leje mikse ku përzihen ndërtesat rezidenciale me hotele, me qëllim që të ardhurat nga shitjet e apartamente dhe vilat ti financojnë hotelet.

Dhe një qeveri e mençur, bën gjithçka që të stimulojë ndërtimin  e hoteleve duke i ndihmuar ata investojë me taksa të ulëta tokë të sigurt dhe  të lirë dhe infrastrukturë energjetike dhe rrugore.

Që Shqipëria të zhvillohet dhe të bëhet një vend ku rinia të mos iki, që mirëqenia të ritet dhe varfëria të zhduket, na duhen doemos investime të mëdha. Ata që qajnë edhe pse ikën rinia nga vendi edhe pse vijnë miliarderë të investojnë, duhet të na thonë se si zhvillohet ky vend pa investime të huaja, dhe si mbahet rinia këtu, nëse nuk ka punë dhe nivel të lart jetese. E di që nuk e kanë këtë përgjigje ndaj janë aty ku janë rrugëve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!