Temperaturat e larta dhe vatrat e shfaqura deri tani shtojnë rrezikun për një verë të vështire sa i përket situatës së zjarreve. Në Tiranë mali i Dajtit mbetet në fokusin kryesor të strukturave zjarrfikëse.
“Një makinë zjarrfikëse qëndron gjatë gjithë kohës në Dajt, nga ora 10 deri në 20.00 të darkës, po qe nevoja do të qëndrojmë edhe më shumë”.
Në territorin e bashkisë së Tiranës, zona me rrisk janë gjithashtu Mulleti dhe Peza.
Për të pasur nën kontroll situatën e zjarreve gjatë stinës së nxehtë, zjarrfikësja e Tiranës ka shtuar forcat si dhe numrin e stacioneve.
“Angazhojmë edhe 25% forca të tjera në zonat më me rrezik. Shtohen edhe tre stacione të tjera në zonat më të rrezikuara nga zjarri. Nga 1 korriku në 10 shtator bëhen 10 stacione”.
Sipas drejtorit të zjarrfikëses së Tiranës, këtë vit vatrat e zjarrit janë shfaqur më herët.
“Në krahasim me vitet e fundit ku vatrat e zjarrit kanë filluar në mesin e korrikut, këtë vit kanë filluar një muaj më herët, në qershor. Ka disa vite megjithëse numri i zjarreve ka qen deri në 200 dëmet kanë qenë minimale”.
Vitet e fundit zjarret e qëllimshme kanë qenë më të pakëta, ndërsa shkaku kryesor për përhapjen e flakëve është pakujdesia e qytetarëve.
“Të jenë në kulturën tonë dhe të tregojmë kujdes gjatë këtyre muajve që të mos përdorin zjarrin për asnjë arsye. Asnjë zjarr në bashkinë e Tiranë nuk vjen nga natyra por dora e njeriut”.
Për të menaxhuar situatën e zjarreve gjatë verës strukturat zjarrfikëse bashkëpunojnë gjithashtu me Mbrojten Civile për forca shtesë dhe në raste të flakëve masive kërkohet ndërhyrje me helikopter.
/abcnews.al