Rrezikon europianin, Gjermania i luan sot të gjitha

schedule14:53 - 9 Shtator, 2019

schedule 14:53 - 9 Shtator, 2019

Gjermania rrezikon të mos shkojë në finalet e Europianit nëse dështon sonte në fushën e Irlandës së Veriut. Skuadra e Joakim Lëvit është nën presion, pas hapit të gabuar ndaj Holandës.

Ndodhi kjo humbje dhe gjithçka ndryshoi për keq. Pas hapit të gabuar ndaj Holandës, Gjermania rrezikon të mos shkojë në fazën finale të Europianit të vitit 2020, nëse pëson disfatë edhe sonte në fushën e Irlandës së Veriut.

Ish-kampionët e botës mbërritën në kryeqytetin Belfast me kokën ulur, nëse mund të themi kështu, të ndërgjegjshëm se aktualisht nuk janë superfuqia e dikurshme. Trajneri Joakim Lëv është nën presion, që pas dështimit në Kupën e Botës dhe në Ligën e Kombeve, dhe një tjetër arritje negative mund të ishte fatale për stolin e tij.

Gjermania do të ketë sërish mungesa pasi Leroi Sane mbetet i dëmtuar, po ashtu siç janë Ilkai Gyndogan, Marko Rojs dhe Niko Shulc.

“Jam i bindur se futbollistët e mi do të reagojnë pas humbjes me Holandën, – deklaroi Lëvi, –  pavarësisht mungesave dhe problemeve, nga ne sot pritet rezultat pozitiv. Edhe barazimi do të ishte mirë, por ne duhet të luajmë gjithnjë vetëm për fitore”.

Irlanda e Veriut është optimiste, pasi i ka fituar të katër ndeshjet në grup deri tani, duke qenë 3 pikë mbi gjermanët. Vendasit kanë bilanc negativ ndaj teutonëve, por nuk harrohen dy fitoret 1-0 kundër tyre në eliminatoret e Euro 1984, kur Gjermania Perëndimore u shpëtua nga fitorja ndaj Shqipërisë në fushën e saj, 2-1 në minutat e fundit./ABC News Albania 24/7