“Rrësheni, u përgjak sërish”, Dom Gjergj Meta: Sistemi i drejtësisë larg atij të një vendi evropian

schedule13:45 - 16 Dhjetor, 2020

schedule 13:45 - 16 Dhjetor, 2020

Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta, ka reaguar me një mesazh ndërgjegjësimi për zinxhirin e vrasjeve të ndodhura në Rrëshen.

Duke marrë shkas pas vrasjes së Anton Kelit në Mirditë mbrëmjen e kaluar, ai bën thirrje që të ndalohen vrasjet dhe se gjykimi duhet t’i lihet vetëm zotit, duke shtuar sistemi i drejtësisë mbetet ende larg atij të një vendi normal evropian.

Lexo edhe: Atentati ndaj Anton Kelit: Autorët e vëzhguan dhe e qëlluan sapo doli nga makina, pistat e hetimit

Statusi:

MJAFT MË ME VRASJE!

Qyteti jonë, Rrësheni, u përgjak sërish. Prapë një vrasje tjetër pa autor apo me autor në drejtim të paditur. Për fat të keq, na janë bërë të shumta drejtimet e paditura, në një sistem drejtësie ende larg atij të një vendi normal europian.

Janë të tepërta këto pesha që po i ngarkohen shpesh qytetit tonë të vogël, këto kohët e fundit.

Kushdo që merr jetën e një njeriu ta dijë se një ditë do të japë llogari. Mund t’i fshihet drejtësisë së njerëzve, mund të humbasë gjurmët, por nuk i fshihet dot gjykimit të Zotit e as gjykimit të ndërgjegjes së vet.

Nuk kam fjalë tjetër për ata që kanë gisht në këto punë përveçse: Pendohuni! Kthehuni kah Zoti! Lërjani Zotit gjykimin. Do të vijë një ditë gjykimi i Zotit, në këtë botë e në tjetrën. Nuk do t’i shpëtojë dot askush atij gjykimi. Sa jeni gjallë keni kohë të silleni kah e mira, kah falja dhe paqja.

Lum ata që duan paqen dhe urrejnë të keqen, sepse do të quhen bijtë e Hyjit.

Mjaft më me vrasje! Mjaft!

+ dom Gjergji

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!