Ditën e sotme hapet blloku i tretë i bizneseve i cili përfshin klinikat dentare, parukeri, berber dhe dyqanet në qendrat tregtare.
Ato do të qëndrojnë hapur nga ora 08:00 deri në orën 17:30, ndërkohë që do duhet të funksionojnë sipas protokolleve strikte të sigurisë.
Këto protokolle duhet të jenë të afishuara në çdo biznes që nis aktivitetin e tij nga sot pas më shumë se dy muajsh karantinë.
Ndër rregullat standarte, është pikërisht ruajtja e higjienës dhe distancimit social, si dhe ajrosja e ambienteve të brendshme për disa herë në ditë
Klinikat dentare do të kenë një sistem të përllogaritur pacientësh, të cilët më herët do të telefonohen nga vetë dentisti, ose do duhet të lënë takim me telefon.
Ata nuk duhet të marrin me vete asnjë person tjetër, përveç rasteve kur nëna shoqëron fëmijën.
Ndërkohë edhe qendrat tregtare do të funksionojnë me rregulla strikte, pasi klientët nuk do të lejohen të qëndrojnë për më shumë se dy orë në ambientet e saj.
Ata nuk duhet të këmbehen më fytyrë me njëri-tjetrin në hyrje apo dalje, kështu që vetë qendra do duhet të sigurojë dy dyer për këto funksione.
LEXO EDHE: Hapen parukeritë, dentistët e qendrat tregtare, shtohen zonat e gjelbra
Qendrat tregtare kanë edhe termometër për matjen e temperaturës, ndërkohë që ata që do të shfaqin shenja të sëmundjes do të izolohen në një dhomë.
Në ashensor nuk do të lejohen më shumë se tre persona, ndërkohë që në parkim nuk do të ketë operator, por parkimi do duhet të bëhet vetë.
Nga ana tjetër edhe parukeritë, qendrat estetike dhe berberët do të kenë rregulla strikte të higjienës dhe distancimit social. Të gjithë punonjësit dhe klientët duhet të jenë të pajisur me maska dhe doreza,
Në qendrë estetike, klientët duhet të përdorin veshje një përdorimëshe për këpucët dhe trupin.
Ato duhet të presin vetëm klientë me rezervim për të shmangur grumbullimin e personave jashtë derës apo në hollin e qendrës.
Peshqirët për secilin klient duhet të nxirren nga qesja dhe pas përdorimit duhet të hidhen në kosh./abcnews.al