Rrëfimi tragjik i babait/ Kosovë, vajza 10-vjeçare iu vra nga serbët ditën e Çlirimit

schedule15:11 - 12 Qershor, 2024

schedule 15:11 - 12 Qershor, 2024

“Shyqyr u çliruam dhe do të shkojmë në shkollë”, ishin fjalët e Besmirës e cila u vra nga forcat serbe një ditë para 12 qershorit të vitit 1999. 10-vjeçarja e cila nuk gëzoi lirinë, atë ditë po përjetonte gëzimin e madh se do të kthehej në shtëpi, një vit pasi po qëndronin me familjen e saj në tendat e improvizuara në “Lugun e Madh” të Drenasit.

Në lapidarin e oborrit të shkollës “Rilindja” të fshatit Dobroshec të Drenasit, janë gdhendur emrat dhe fotografitë e Besmirës dhe dy fëmijëve të vrarë në Poklek të cilët kishin vijuar mësimin në të njëjtën shkollë.

Babai i Besmirës, Enver Hajdari tregon për mëngjesin e hershëm të 11 qershorit, ku mbeti e vrarë vajza e tij.

“Serbët kur e panë humbjen që është bërë marrëveshja e Kumanovës, ata e shfrynë mllefin e vettë natë kur është bërë marrëveshja, më kujtohen fjalët e Besmirës që ia kishte thënë edhe nënës edhe familjarëve, sepse ju mungonte shkolla, ju mungonte loja, ju mungonte çdo gjë, se kishin kaluar një jetë të gjatë me gjithë tmerrin. Atë ditë që u bë marrëveshja e Kumanovës, moshatarët e Besmirës, por sidomos Besmira, ju gëzuan asaj nate dhe po i thotë familjes së saj, nënës së saj “Shyqyr o Zot që u çliruam dhe tash do të shkojmë në shkollë dhe do të kthehemi në shtëpitë tona”, u shpreh Enver Hajdari babai i saj.

Besmira, e cila atë kohë ishte 10-vjeçare, u vra në gjumë nga forcat serbe.

“E kanë vrarë në gjumë. Kanë ra atë natë edhe e kanë bërë gjumin në atë prokolicë por atë natë serbët e kanë shfryer mllefin e vet në popullatë dhe ka pasur fatin që në Besmirën kanë gjuajtur dhe e ka kapur një plumb në gjoks të zemrës. E kanë vrarë në gjumë, dikur rreth orës 04 e 10 të mëngjesit pa u zbardhur”, tha Enver Hajdari.

Babai i Besmirës tregon se e kishin varrosur në mal dhe pas dy javëve e kishin zhvarrosur në varrezat e fshatit. 25 vjet pas luftës, ai flet në klasën dhe vendin ku ulej në klasë Besmira, e cila po vijonte klasën e tretë të shkollës fillore “Rilindja”.

Enveri, i cili ishte vet pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thotë se kur filloi lufta në fshatin e tyre ishin detyruar që t’i rezistonin terrorit serb dhe të zhvendosnin familjet e tyre në Lugun e Fatit për më shumë se një vit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!