Radja Nainggolan është një futbollist që jep gjithçka në fushën e lojës, cilësi që e ka kthyer prej vitesh si një ndër të preferuarit e skuadrave ku ka luajtur. Mesfushori belg u huazua te Cagliari verën e kaluar. Kartonin e tij e zotëron Interi, por vështirë që të kthehet për të luajtur te zikaltrit.
“Ninxha” ka bërë një bisedë në “Instagram” me Damiano Coccia, i njohur me pseudonimin “Er Faina”, një personazh i rrjeteve sociale dhe tifoz i thekur i Lazios, aty ku flet për Interin, rikthimin në Sardenjë dhe refuzimin e përjetshëm ndaj Juventusit.
“U ktheva te Cagliari, sepse më quajtën të mbaruar tek Interi. Isha me ekipin në Kinë, edhe pse e dija që nuk mund të luaja në miqësore. Besoja se klubi do të kishte ndryshuar mendim, kështu që vendosa të udhëtoja me shokët. Ndodhi e kundërta e asaj që kisha menduar. Më telefonoi Giulini (presidenti i Cagliarit), i cili më kishte kërkuar edhe një vit më parë.
Ai më donte te Cagliari dhe më stimuloi që të rikthehesha. Juventus? Unë nuk urrej askënd, por ata më kanë bezdisur gjithmonë. Nuk kam preferuar kurrë të shkoj te Juventusi, sepse nuk do ndihesha fitues po të fitojë titullin dhe të luaja 5 ndeshje në sezon. Kam preferuar një tjetër rrugëtim, nuk është e thënë të zgjedhësh klubet që fitojnë gjithmonë.
Është normale të fitosh 10 kampionate në Torino, por është më e bukur të fitosh një në Romë ose diku tjetër. Gjithmonë do i refuzoj bardhezinjtë. Tifozët mendojnë se jam i zemëruar me ta dhe këndojnë kore kundër meje. Më i forti me të cilin kam luajtur? Francesco Totti”, deklaron Nainggolan. /abcnews.al