Rrëfimi 360 gradë i administratorit të Milanit, Furlani flet për situatën e klubit kuqezi

schedule11:39 - 29 Mars, 2024

schedule 11:39 - 29 Mars, 2024

Administratori i Milanit, Giorgio Furlani ka bërë një rrëfim 360 gradë për situatën në klubin kuqezi. Ai është ndalur te hetimi për shitjen e aksioneve te RedBird, për të vijuar me merkaton, por edhe të ardhmen e trajnerit Stefano Pioli.

E pikërisht në lidhje me hetimin, ku pak ditë më parë agjentë të Guardia Di Finanzias zbarkuan në zyrat e klubit për të marrë dokumentet e shitjes së aksioneve, Furlani ka qetësuar njëherë e mirë tifozët.

“Ai hetim merr zero kohë në mendjet tona. Jemi të bindur që kemi vepruar brenda të gjithë rregullave dhe gjithçka është një dyshim i pavend. As që nuk na intereson fare ecuria e hetimit, pasi e dimë përfundimin”, u shpreh Furlani.

Interi duket se do të vendosë yllin e dytë mbi fanellë para Milanit, megjithatë kjo nuk shqetëson aspak kuqezinjtë, me Furlanin që zbulon ambiciet e pronarit të klubit, Gerry Cardinale, por edhe planet për stadiumin e ri.

“Do të donim ta vendosnim ne të parët yllin e dytë në fanellë, por nuk na shqetëson kjo. Do të provojmë vitin e ardhshëm. Ambicia e Cardinales është që të fitojmë sa më shpejt Ligën e Kampionëve. Kemi nisur një projekt për ndërtimin e një stadiumi të ri, që do të ishte një aset me mjaft vlera për klubin”, u shpreh CEO i kuqezinjve.

Tifozët presin përforcime në verë, sidomos në repartin e sulmit, ku pritet të largohet edhe francezi Giroud, i cili ka mbajtur peshën gjatë sezoneve të fundit, megjithatë Furlani e zbulon qartë strategjinë.
“Natyrisht që nuk mund të flasim për shifra, pasi ato varen nga shumë aspekte, si mënyra si përfundojmë sezonin aktual, etj. Nuk kemi buxhet të pa limituar. Duhet të punojmë me zgjuarsi, që të gjejmë të tjerë elementë si Pulisiç dhe Loftus-Cheek, të cilët kanë kushtuar pak dhe kanë ngritur ndjeshëm nivelin e skuadrës. Kjo duhet të jetë linja jonë për t’u përforcuar”, shprehet Furlani.

Një tjetër çështje te kuqezinjtë është situata me rinovimet e emrave si Maignan e Theo Hernandez, të cilët kanë adhurues të shumtë nëpër Europë, teksa Furlani “blindon” edhe Leaon, duke konfirmuar se ai do të qëndrojë gjatë në Milano.

“Theo dhe Maingan kanë kontratë deri në verën e 2026-ës dhe kemi dëgjuar të flitet shumë për të ardhmen e tyre. Ndonjëherë të ardhmen e vendosin vetë futbollistët. Ne shpresojmë që ata të vazhdojnë gjatë te Milani dhe të shkëlqejnë siç kanë bërë gjatë këtyre viteve. Sa i përket Leaos, ka një klauzolë prej 175 milionë eurosh. Por mbi të gjitha ka dëshirën për të qëndruar te Milani, ndaj jemi shumë të qetë në këtë aspekt”, theksoi administratori i klubit kuqezi.

Në fund ka vend edhe për të diskutuar mbi të ardhmen e trajnerit Stefano Pioli. Ai ka më shumë se 4 vite në stolin kuqezi, por së fundi është vënë jo pak në diskutim.

“Askush në klub nuk e ka vënë në dyshim të ardhmen e Piolit. Ai nuk do të gjykohet për rezultatin e derbit, apo ecurinë në Europa League. Ka bërë një punë të jashtëzakonshme te Milani, duke na rikthyer në Champions dhe na dhënë një titull kampion. Shpesh kritikohet, por ka një histori shumë pozitive me Milanin”, theksoi Furlani./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!