Rrëfehet “luftëtari” Henrik Nerguti: Babi më shtyu drejt futbollit. Inspirohem nga Granit Xhaka

schedule11:50 - 15 Shkurt, 2022

schedule 11:50 - 15 Shkurt, 2022

Lojtarët shqiptarë tashmë ndodhen kudo, thuajse në çdo kampionat të huaj. Lojtarët që kanë preferuar të rriten në dhe të huaj për të vazhduar ëndrrën e tyre futbollistike, por që përfaqësojnë kombëtaren shqiptarë në ndeshjet ndërkombëtare.

Një i tillë është edhe 19-vjeçari, Henrik Nerguti, i cili aktualisht aktivizohet në Rrëfehet “luftëtari” Henrik Nerguti: Babi më shtyu drejt futbollit. Inspirohem nga Granit Xhaka te NS Mura. Në prill të këtij viti mbush 19-vjeç, por shikohet si një lojtarë premtues që i ka idetë e qarta për të ardhmen e tij. Pozicioni në fushë, si mesfushor me tipare mbrojtëse e bën shumë këmbëngulës. Ai nuk ngurron edhe ti thotë hapur të gjithë në rubrikën “Talenti shqiptar” në FSHF.org.

Nerguti rrëfen se si nisi gjithçka për të, çfarë e motivon të vazhdojë të rritet si futbollist. I riu nuk anashkalon emocionet e mëdha që i ka dhënë Shqipëria U19, grumbullimi i parë, këndimi i himnit. Natyrisht është një ëndërr e realizuar dhe Henriku nuk ka dëshirë të ndalet me kaq, madje na tregon edhe se si karriera e tij do të plotësohej.

-Henrik, si ka nisur për ju lidhja me futbollin? Kush është njeriu që ju ka shtyrë drejt këtij sporti? Në fillim luaja në lagje me shokët, kur isha vetëm 4 vjeç. Aty fillova ta pëlqeja shumë futbollin. Njeriu që më ka shtyre drejt këtij sporti është babai im.

 -Çfarë ju shtyn që të rriteni edhe më shumë në këtë profesion? E vetmja gjë që më shtyn është egoja ime dhe e shkuara. Jam djalë që gjithmonë kërkoj të jap më të mirën nga vetja. Po ashtu jam rritur në një lagje relativisht të varfër dhe dua t’i ofroj familjes time një jetë më të mire. E vetmja mënyrë për ta arritur është që të bëhem më i mirë çdo ditë në punën që bëj.

– Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër? Personat që më këshillojnë më shumë janë menaxheri im dhe profesorët që më rritën në ekipin që isha në Shqipëri (Internacional Tirana), Armand Dama, Elvis Plori, Luan Sengla, Olgert Muka, Brusi Arapi, Ardi Behari.

– Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga Shqipëria U-19? Çfarë kujtoni nga grumbullimi dhe ndeshja e parë? Kur u thirra për herë të parë u ndjeva vërtetë mirë. Ishte ëndrra ime të vishja fanellën e kombëtares. Ka qenë rrugë e vështirë sepse konkurrenca ishte e madhe. Megjithatë momenti erdhi dhe është koha të jap më të mirën. Nga momenti i parë mbaj mend çastin kur vesha fanellën dhe ishte thjesht fantastike! Po ashtu nuk mund të lë pa përmendur dhe momentin kur kënduam së bashku me shokët për herë të parë himnin përpara ndeshjes. Aty të bëhej mishi kokërr.

– Çfarë mund të veçoni deri më tani nga jeta juaj futbollistike? Ka një arritje për të cilën jeni krenar? Tani jam i fokusuar drejt kombëtares U-21 e më pas drejt kombëtares A. Nuk është e lehtë të përfaqësosh kombëtaren U-19 dhe po ashtu të jesh pjesë e Mura në këtë moshë. Mjafton të kthej kokën pas dhe shoh se jam krenar me këto dy arritje të deritanishme. Gjithashtu kam besim që do të ketë arritje të tjera më të mëdha.

– Si është të kalosh nga një ekip shqiptar moshash në Slloveni në moshë të vogël? Sa e vështirë është të përshtatesh? Impakti i parë është pozitiv sepse je entuziast, por në fakt ka qenë shumë e vështirë kur kam mbërritur këtu, pasi nuk e di gjuhën sllovene.

-Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull? Lojtari shqiptar që e kam vëzhguar gjithmonë ka qenë Granit Xhaka. Jo vetëm sepse luan në rolin tim, por edhe për shpirtin luftarak dhe grintën e madhe që ka.

– Duke parë që ju luani jashtë dhe shumë elementë të tjerë të rinj luajnë në kampionate të rëndësishme europiane, a mendoni se Shqipëria ka një të ardhme të ndritur? Ndihesh mirë kur sheh se shumë djem shqiptar luajnë në kampionate të një niveli të lartë. Kjo mund të çojë padyshim në rritjen e cilësisë në kombëtare. Megjithatë duhet hedhur edhe një sy në kampionatin shqiptar. Edhe pse nuk është në nivel shumë të lartë sërish gjen djem që janë vërtetë të talentuar.

– Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll? Çdo futbollist pavarësisht trofeve në grup, do të donte të arrinte dhe një trofe individual. Ky mund të ishte plotësimi ideal i një karriere.

/f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!