Empoli triumfoi dje kundër Napolit, kurse Lazio u mposht në fund nga Milani. “Gazzetta dello Sport” ka publikuar notat e futbollistëve, mes tyre edhe të shqiptarëve që luajnë në duelet e një dite më parë.
Notën më të lartë, 7, e ka marrë Kristjan Asllani: “Ka vizion loje dhe kualitet. E lexon mirë kohën dhe madje i shkon shumë pranë golit. Është një lojtar që nuk ka kurrë frikë”. Më mirë se mesfushori shqiptar tek Empoli është vlerësuar vetëm Pinamonti, 7.5, autor i dy golave.
Notë e mirë edhe për Nedim Bajramin, 6.5: “Hyn menjëherë duke bërë presing dhe kjo gjë i vlen edhe te goli i parë i shënuar nga ekipi i tij. Shpërdoron një penallti në lëvizje që mund ta çonte rezultatin në 2-2, por megjithatë, goli i tretë erdhi pas asistit të tij”.
Thomas Strakosha është vlerësuar me 5.5 ndaj Milanit: “E nis keq ndeshjen, ndërkohë që bën edhe një rrëmujë që i shkakton atij kartonin e verdhë. Mund të shkonte edhe më keq. Bën disa pritje të mira ndaj Rebic e Leao, ndërsa te goli i fundit nuk del për të larguar topin”.
Notën më të ulët e ka marrë Amir Rrahmani te Napoli. GDS e vlerëson me katër: “Harron disa herë që të markojë Pinamontin, ndërsa lë edhe hapësira në qendrën e mbrojtjes, përpara se italiani më pas t’i ndëshkojë duke u shkaktuar edhe humbjen”. / abcnews.al