E kemi një përfaqësues në këtë triumf. Napoli u shpall kampion i Serisë A me një shqiptar të Kosovës në ekip, madje të padiskutueshëm në formacion.
Amir Rrahmani mori medaljen e tij të artë, si dhe ngriti trofeun e madh bashkë me shokët, duke qenë një nga më të mirët.
Këtë sezon ka qenë ndoshta besniku më i madh i trajnerit Antonio Konte. Kapiteni i Kosovës ka qenë titullar në 100 për qind të ndeshjeve të kampionatit, dhe ka luajtur 100 për qind të minutave.
Asnjë mungesë, për asnjë arsye, madje as për kartona siç mund t’i ndodhë një mbrojtësi.
Plot 3407 minuta në fushë, pra një maratonomak siç thuhet në këto raste.
Rrahmani ishte jo vetëm një siguri në mbrojtje, dhe në lojën difensive në përgjithësi, por ndihmoi mjaft edhe në sulm.
Këtë sezon, kontributi I tij ishte një gol e dy asiste në Serinë A, ndërsa në total ka 12 rrjeta e 5 asistë në kampionatin italian me fanelën napolitane.
Tashmë, dy herë kampion, Amir Rrahmani ka po aq tituj sa edhe Perëndia e Napolit, Diego Armando Maradona.