Roth: BE duhet të mbajë premtimet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor

schedule14:20 - 29 Maj, 2019

schedule 14:20 - 29 Maj, 2019

Në një intervistë për “Frankfurter Alemaine Cajtung” ministri gjerman i shtetit për çështje europiane, Majkëll Roth kërkoi që Bashkimi Europian të mbajë premtimet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai kërkoi hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ministri gjerman i shtetit, Michael Roth, i është drejtuar opinonit gjerman me një koment në gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Michael Roth, i cili është edhe vetë deputet socialdemokrat, por edhe përgjegjës për politikën gjermane në Bashkimin Evropian, ka përsëritur kërkesën për çeljen e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ai kujton, se “që në vitin 2013 krerët e qeverive dhe shteteve të BE-së i kanë premtuar rajonit të Ballkanit Perëndimor perspektivën evropiane” dhe se “ky premtim u përsërit një vit më parë, në vitin 2018”.

Nisur nga rekomandimi i përsëritur i Komisionit të BE-së për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ministri gjerman i shtetit kërkon nga BE-ja që të mbajë fjalën. “Duhet të mbajmë fjalën e dhënë. Sepse në Ballkanin Perëndimor janë shumë gjëra në rrezik. Ndërsa për BE-në janë në rrezik interesat e sigurisë dhe besueshmëria e saj.

Ai thekson ndër të tjera se për të rinjtë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut BE nuk ka humbur aspak nga fuqia e saj rrezatuese. Pjesa më e madhe e të rinjve dëshirojnë demokraci, mirëqënie, siguri dhe liri, shton ai.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë kryer detyrat e tyre dhe kanë arritur përparime konkrete. Në të dy vendet si qeveria ashtu edhe populli kanë dëshmuar, se janë të gatshëm për të bërë edhe kompromise të dhimbshme.

Në pjesën për Shqipërinë, ministri shtetit thotë se “në vështrim të parë situata mund të duket më e komplikuar. Por arsyeja është, sepse opozita ia del vazhdimisht që të prodhojë tablo dramatike – në vend që të konkurojë me qeverinë me ide konstruktive në parlament, të cilin për momentin e bojkoton.”

Roth tërheq vëmendjen se: “Kjo politikë e papërgjegjshme penguese nuk duhet të fshehë atë që ka arritur vendi.” Duke përmendur këtu reformën e drejtësisë, bashkëpunimin e suksesshëm të organeve shqiptare të sigurisë, me partnerët gjermanë, austriakë dhe Italinë si edhe rishtazi me agjencinë kufitare të BE-së, Frontex.

Sa i përket Maqedonisë së Veriut, ministri i shtetit Roth thekson, se me arritjen e Marrëveshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë për çështjen emrit, hapet rruga për të ndjekur rekomandimin që komisoni i BE-së e ka dhënë vazhdimisht prej vitit 2009 për çeljen e negociatave. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!