Kristiano Ronaldo thumbon Realin e Madridit, pak javë pas largimit nga klubi spanjoll. Ylli portugez deklaron se Juventusi është i veçantë, pasi është si një familje.
Kur ishte tek Reali, jo rrallë e keqtrajtonte ekipin ku shkoi tani.
Kristiano Ronaldo ishte bërë makthi i Juventusit, por ylli i ri i piemontezëve tashmë ka hapur një epokë të re të karrierës, dhe nuk ngurron të thumbojë të djeshmen.
Në një intervistë, që inauguroi televizionin e ri të klubit, CR7-ta shigjetoi Realin, duke lënë të nënkuptohej se Madrid nuk e kishin dashur me gjithë zemër.
“Vendimi për të ardhur këtu ishte sepse Juventusi është një klub i madh, dhe sidomos sepse këtu të gjithë janë si një familje, – u shpreh numri 7, – ishte një vendim shumë i lehtë për t’u marrë”.
Një deklaratë që nuk mbeti pa u interpretuar nga mediat spanjolle, të cilat me të drejtë e cilësuan si një kritikë ndaj ish-klubit të tij, ndaj presidentit Florentino Perez, një pjese të tifozëve dhe disa shokëve të skuadrës, përfshi kapitenin Sergio Ramos.
Ronaldo luajti për 9 vjet në Madrid duke thyer thuajse çdo rekord të klubit për numrin e golave të shënuar në total, në kampionat apo në Champions, por vazhdimisht ishte në diskutim, dhe në konflikte të brendshme.
Në intervistën për televizionin e Juventusit, Kristiano po ashtu, nuk iu shmang dot stereotipeve, me shprehje të tilla si “që kur isha i vogël ëndërroja të luaja për këtë ekip”.
Besohet se mbi 90 për qind e lojtarëve i thonë këto fjalë kur shkojnë në një skuadër të re, sidomos nëse bëhet fjalë për një klub të madh.
Kristiano Ronaldo u bë këtë verë lojtar i Juventusit, për shifrën e 100 milionë eurove, plus 12 milionë të tjera si shpërblime, ndërsa shpreson të fitojë trofe të tjera në karrierën e tij të lavdishme. /abcnews.al