Ronaldo synon trofeun e dytë të madh me kombëtaren

schedule12:16 - 6 Qershor, 2019

schedule 12:16 - 6 Qershor, 2019

Cristiano Ronaldo e rriti edhe më shumë legjendën e tij me 3 golat e shënuar ndaj Zvicrës në Ligën e Kombeve. Superylli portugez synon të fitojë një tjetër trofe të madh me kombëtaren.

Kombëtarja dhe Championsi janë “domenet” e tij.  Ashtu si fisnikët e vjetër, edhe Cristiano Ronaldo ka vënë “gardhin” tek ato që i quan tokat e vetat të paprekshme, dhe vazhdon të shënojë pa pushim.

Njeriu që dikur kritikohej se “zhdukej” në ndeshjet e mëdha, tani është mësuar t’i vendosë ato në favorin e ekipit të tij, siç bëri në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve ndaj Zvicrës, në “Estadio do Dragao” të Portos.

Një tjetër tregolësh i juventinit, dhe Portugalia kaloi në finale.  Nëse kurorëzohet gjithçka me sukses, CR7-ta do të ketë dy trofe në sezon, bashkë me titullin kampion në Itali.

Edhe pse nuk quhet një gjeni i futbollit, Ronaldo dëshiron me patjetër të hyjë në “Olimpin” e më  të mirëve, sidomos të mos mbetet prapa Mesit. Ai kaloi skuadrën e tij në epërsi në minutën e 25-të, por Zvicra e Shaqirit dhe Xhakës nuk u dorëzua, por luftoi fort, madje më mirë sesa vendasit.

Mbajti 55 për qind topin, dhe gjuajti 16 herë drejt portës, ndaj 10 të portugezëve.  Barazoi me penallti, me ndihmën e VAR-it, ku 11-metërshin e ktheu në gol Rodrigez në 57’.

Ishte një vendim që krijoi nerva dhe polemika, me vonesën e tij. Kjo, pasi portugezët prisnin penallti për ta, ndërsa arbitri gjerman Brih e dha për miqtë, për shkak të një aksioni të mëparshëm. Ndeshja po shkonte tek shtesat, por Ronaldo kishte mendim tjetër, duke mbyllur gjithçka me dy gola të shpejtë në fund, në minutat 88 dhe 90.

“Nuk kam preferenca për kundërshtarin në finale, – u shpreh Ronaldo pas ndeshjes, – këdo që të kemi përballë, do të jetë një betejë. Ishte një ndeshje e vështirë ndaj Zvicrës, që ka një seleksion të shkëlqyer. E dinim se nuk do të kishim shumë mundësi, ndaj duhej t’i shfrytëzonim siç duhej. Realizuam objektivin, dhe tani shpresoj që stadiumi të jetë plot dhe Portugalia të fitojë”.

Gazetat portugeze bënë garë kush e kush të gjente lavdërimin më të madh.

“A Bola” e quan Ronaldon qiellor: Kristo Mbret, që do të thotë “Krishti Mbret”!

“Rekord”: Ronaldo I paçmueshëm! Tregolëshin kalon seleksionin në finalen e Ligës së Kombeve! Duam shumë që ta fitojmë këtë kupë!

“O Zhogo”: I pakrahasueshëm! Tre gola të CR7-ës kalojnë Portugalinë në finalen e Ligës së Kombeve! Ronaldo: Tifozët na dhanë shumë forcë! Kapiteni ka 88 gola me kombëtaren!

Numri 7 tashmë ka lënë përfundimisht pas legjendën hungareze, Ferenc Pushkash, i cili ka 84 gola në kombëtare, ndaj 88 të portugezit. I vetmi që ia kalon ende është legjenda e Iranit, Ali Daei, që ka realizuar 109 rrjeta.

Në total, CR7-ta po arrin në 700 gola për klubet dhe kombëtaren, dhe shpejt do të hyjë në një klub vërtet të përzgjedhur. Ambicia e tij e jashtëzakonshme mund të bëjë që të fitojë trofeun e dytë të madh me Portugalinë pas Kampionatit Europian në 2016./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!