Cristiano Ronaldo ishte lojtar i parë që theu izolimin te Juventusi. Infektimi i dy personave të stafit të jashtë i detyronte bardhezinjtë të qëndronin në karantinë, J Hotel. Protokolli ishte i qartë, por portugezi nuk dëshironte ta humbte miqësoren me Spanjën.
Gazzetta dello Sport raporton se Ronaldo dhe lojtarët e tjerë duhet të qëndronin edhe një ditë më shumë në izolim, edhe pse dy testet e bëra për Covid-19 i kishin nxjerrë ata negativë. Tërbimin e tij ylli i Juventusit e shfaqi në dhomat e zhveshjes, ditën e ndeshjes me Napolin.
Ajo përballje nuk u zhvillua, pasi ekipi i Gattuso nuk u paraqit. Ronaldo ndërkohë kishte ngritur zërin para drejtuesve të klubit dhe shokëve të skuadrës. Më pas edhe ishte larguar në shtëpi, ku e kishte kaluar natën pranë familjes.
ASL Torino normalisht nuk është dakord me atë që Ronaldo dhe lojtarët e tjerë bënë, duke iu bashkuar kombëtareve të tyre para kohe. Çështja është dërguar në Prokurori dhe futbollistët pritet të gjobiten për shkeljen e Protokollit Sanitar. /abcnews.al