Sulmuesi i Juventusit, Cristiano Ronaldo, vazhdon të jetë i infektuar me koronavirus. Portugezi doli sërish pozitiv në tamponin e radhës, çka do të thotë se ai do të vazhdojë karantinën dhe do të humbasë kështu duelin me Barcelonën në Champions League.
Ky lajm nuk i pëlqeu aspak tifozëve të futbollit dhe jo vetëm. Edhe kapiteni i katalanasve, Lionel Messi, shpreson që CR7 të shërohet dhe të jetë në fushë ditën e mërkurë. Argjentinasi në një intervistë për “DAZN”, ka folur më shumë rreth rivalitetit mes tyre dhe padyshim që vlerëson Cristianon.
“Dueli me Ronaldo ishte dhe është special dhe ai do të qëndrojë përgjithmonë. Sfida mes nesh zgjati për shumë vite dhe sigurisht që nuk është aspak e lehtë të qëndrosh në nivele të larta për shumë vite.
Ekipet tona gjithashtu ishin të shkëlqyera. Real Madrid dhe Barcelona janë dy klubet më të forta në botë dhe ai duel do të mbahet mend gjithmonë. Mendoj se njerëzve i ka pëlqyer sfida mes nesh dhe në aspektin personal ishte diçka e bukur”, deklaron 33-vjeçari.
“Dueli me Juventusin? Shpresoj që të mërkurën ta shikojmë sërish këtë duel. Të gjithë kërkojmë që Ronaldo të shërohet nga Covid-19 dhe të jetë në fushë. Kur ai ishte në fushë atëherë për Realin, ndeshjet ishin akoma dhe më speciale. Kjo tashmë i përket së kaluarës dhe tashmë ne jemi përqendruar në sfidat e sotme”, mbyll Messi. /abcnews.al