Ronaldo, jashtë fushave të lojës për dy javë

schedule18:30 - 26 Mars, 2019

schedule 18:30 - 26 Mars, 2019

Cristiano Ronaldo pësoi një dëmtim mbrëmjen e kaluar në ndeshjen që Portugalia luajti në shtëpi ndaj Serbisë. Ylli luzitan pritet të qëndrojë jashtë fushave të lojës për dy javë.

Nuk shkoi ashtu siç pritej rikthimi i Cristiano Ronaldo-s tek kombëarja e Portugalisë. Ylli i Juventusit nuk arriti të realizonte në dy takimet e para kualifikuese, por ajo që ka më tepër rëndësi është dëmtimi i pësuar në ndeshjen ndaj Serbisë mbrëmjen e kaluar.

34-vjeçari u detyrua të lërë fushën e lojës pas një tërheqje në këmbën e djathtë. Lëndim, i cili pritet ta lërë Cristiano-n të paktën dy javë jashtë fushave të blerta. Pas ndeshjes, Cristiano deklaroi se nuk është aspak i shqetësuar për këtë dëmtim pasi do të rikuperohet plotësisht pas dy javësh.

Gjithsesi në kampin bardhezi janë të shqetësuar pasi në datën 10 dhe 16 Prill, Juventus do të luaje dy takimet e fazës çerekfinale ndaj Ajax në Ligën e Kampionëve. Gjithsesi duke u bazuar tek fjalët e Cristiano-s, ai do të jetë i gatshëm për duelin e parë në datën 10 Prill. Në Serie A, Ronaldo do të mungojë kundër Empolit, Kaljarit dhe Milanit, ndërkohë që pritet të jetë gati për ligën e kampionëve.  /abcnews.al