Ndeshjet në Serie A po fillojnë e vështirësohen dhe Juventusi vuajti për të siguruar fitoren shtëpiake kundër Parmës. Dygolëshi i CR7 i dhuroi bardhezinjve suksesin 2-1 dhe diferenca me Interin ka shkuar në katër pikë.
Ylli portugez e ka nisur në formë vitin 2020, u ngjit në kuotën e 16 golave në kampionat dhe në shtatë ndeshjet e fundit ka shënuar 11 gola. CR7 e pranon forcën e Parmës dhe ndihet i lumtur që ekipi i tij ia doli të merrte tre pikët e radhës.
“Kishte rëndësi të fitonim me Parmën. Lazio e fitoi ndeshjen e vet, ndërsa Interi barazoi dhe nuk mund të mos e shfrytëzonim mundësinë për t’u shkëputur pak. Ndeshja ishte e komplikuar, sepse Parma ka një ekip shumë të mirë dhe na vuri në vështirësi.
Golat? Jam i lumtur që ndihmova skuadrën me dy golat e mi, por rëndësi kishte marrja e tre pikëve. Ata na rrezikuan në pjesën e dytë dhe në minutat e fundit u nervozuam. Parma po sulmonte me lojtarë të fortë, por ia dolëm të siguronim një rezultat të rëndësishëm“, deklaroi CR7. /abcnews.al