Është i vendosur t’ia dalë edhe kur duket e pamundur.
Kristiano Ronaldo e dëshiron me patjetër një titull në Arabinë Saudite, padyshim të shpallet kampion, dhe me këtë objektiv i dha fund rebelimit shumëditor dhe u kthye në formë të madhe tek Al Nasr.
Superylli portugez pati një mbrëmje të madhe, jo vetëm sepse shënoi dy gola dhe vazhdon marshimin drejt kuotës mitike 1 000, por edhe sepse doli në krye të Ligës Profesioniste Saudite.
Al Nasr triumfoi 4-0 ndaj një rivali modest si Al Hazem, dhe CR7 pati “pjesën e luanit” siç thuhet, edhe pse iu anuluan dy gola të tjerë.
Veterani 41-vjeçar ka tani 965 gola në karrierë, 35 larg objektivit.
Ndërkaq, legjenda luzitane e ka hedhur poshtë ofertën nga presidenti amerikan Donald Tramp për t’u transferuar në ligën e Shteteve të Bashkuara.
Tramp e cilësoi Ronaldon si më të mirin e historisë së futbollit, por përgjigja ishte se ai i përkiste Arabisë dhe ishte shumë i lumtur në Al Nasr, ku ka kontratën më të madhe në histori, 200 milionë euro në sezon.
Skuadra e Kristianos kryeson kampionatin me 55 pikë, një më shumë sesa Al Hilal, që u ndal në barazim 1-1 në derbin saudit ndaj Al Itihadit.
Mbrojtësi kuqezi, Mario Mitaj, ishte titullar në sfidën e vështirë, dhe u përpoq shumë, ndonëse pati përballë ish-kapitenin e tij, Karim Benzema.
Al Itihad, kampion në fuqi i Arabisë Saudite, luajti me 10 lojtarë që nga minuta e 9-të, por ia doli të barazonte.
Golit të Malkomit iu përgjigj Husem Auar në pjesën e dytë.


