Mikel Fusha 22-vjeç u plagos me armë zjarri mbrëmjen e sotme në Shkodër. Ai u qëllua në këmbë pas një konflikti në një lokal në lagjen “Mark Lula” rreth orës 19:30, raporton gazetari i ABC, Simon Shkreli.
I plagosuri ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autori Elvis Lekndreu është shpallur në kërkim. Blutë e Shkodrës theksojnë se vijon krehja e zonës për kapjen e tij. E ndërsa policia deklaroi se shkak ishte një konflikt i çastit, nëna e të plagosurit jep një tjetër version.
Në lot, ajo rrëfeu se djali i saj, që punonte në lokalin ku ndodhi plagosja ishte konfliktuar me autorin para një jave. Po sipas saj, autori Elvis Lekndreu kishte thyer tavolinat në lokalin që punonte djali i saj, ndërsa sot ka shkuar me një grup shokësh duke u përplasur sërish për të përfunduar tek plumbat.
“Para një jave djali u konfliktua me autorin në lokalin ku punonte. Ka ardhur para 1 jave ka thyer karriget e tavolinat. Kemi shkuar edhe te i ati për t’i thënë mos na bini në qafë. Sot paska ardhur me shokë dhe e ka plagosur”, tha ajo.
E ëma e djalit ka tentuar që të futet në lokal për të mësuar si është plagosur i biri, por policia nuk e ka lejuar. Mbrëmë në qytetin e Shkodrës ndodhi një tjetër plagosur, dy vëllezër u qëlluan me armë zjarri./ db/ Abcnews.al