Në aktivitetin e prezantimit të anketimit të qeverisë suedeze mbi perceptimin e publikut për Policinë e Shtetit pas ministrit Bledi Çuçi dhe drejtorit të policisë së shtetit Ardi Veliu fjalën e mori zv/ministrja e Brendshme Romina Kuko.
E ndërsa shpalosi disa nga rezultatet e anketimit, të cilat i vlerësoi si pozitive, Kuko tregoi edhe objektivat. Zv/ministrja e Brendshme tha se objektiv është shtimi i orëve të policisë nëpër shkolla, pasi sipas saj, adoleshentët kanë një rol shumë të rëndësishëm në komunitet.
“Ajo që do të duam është orët e policisë nëpër shkolla sepse edhe pjesa e ndërgjegjësimit është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme. Kuptohet që adoleshentët janë ata që janë thelbësor në punën e komunitetit, pasi kanë mundësi të influencojnë edhe familjet e tyre, bashkëmoshatarët dhe vetë komunitetin. Do të shtojmë dhe intensifikojmë orët e trajnimit dhe përfshirjes së policisë nëpër shkolla” tha ajo.
Referuar situatës aktuale, pak ditë më parë në protestat që pasuan vrasjen e Klodian Rashës, adoleshentët ishin baza e tubimit, ndërsa ministrja e Arsimit Evis Kushi tha se do të identifikohen dhe trajtohen me psikolog. Ndërsa sot zv/ministrja e Brendshme Romina Kuko njoftoi shtimin e orëve të policisë nëpër shkolla./ db/Abcnews.al