Lazio po kërkon një sulmues dhe i pari në listë është Luis Suarez, kolumbiani që ka spikatur me Real Zaragoza. 17 golat e 22-vjeçarit në Segunda Division kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve dhe Igli Tare është një nga ata që përpiqet të mos i shpëtojnë elementët e rinj.
Gjithsesi Suarez nuk është alternativa e vetme për sulmin. Te Lazio nuk e harrojnë Vedat Muriqin, sikurse shkruan ditën e sotme Gazzetta Dello Sport. Sulmuesi i Fenerbahce kërkohet nga shumë klube, kryesisht në Angli dhe turqit nuk heqin dorë pa një ofertë të mirë.
Rreth 20 milion euro thuhet të jetë shuma që kërkohet për sulmuesin kryesor të Kosovës, që në Serie A do të gjente edhe shqiptarë të tjerë si Strakosha, Hysaj, Kumbulla, Gjimshiti, Rrahmani e Berisha.
Lazio në shënjestër ka edhe një tjetër mbrojtës shqiptar. Mërgim Vojvoda, protagonist me Standard Liege në Belgjikë, do tentohet të blihet nëse Adam Marusic do të shitet te PSG. Për anësorin e djathtë të Kosovës duhen 7 milion euro. /abcnews.al