Roskoveci bëhet epiqendra e kulturës dhe diversitetit më 9 prill, me rikthimin e festivalit “Roma Romale” në edicionin e tij të dytë. Një ngjarje që shkon përtej spektaklit, duke sjellë në qendër identitetin, artin dhe shpirtin e komunitetit rom në Shqipëri.
Në panelin e diskutimit, Edison Toska dhe Nertila Pelivani theksojnë se ky festival është një platformë e rëndësishme për dialog, bashkim dhe fuqizim kulturor. Përmes muzikës, vallëzimit dhe traditave, synohet ndërtimi i urave të komunikimit mes komuniteteve të ndryshme.
Sheshi “Bazaar”, në orën 19:00, do të shndërrohet në një skenë të madhe ndërkulturore, ku artistë, grupe folklorike dhe studiues do të sjellin performanca plot jetë dhe emocion. Për herë të parë, grupet do të garojnë mes tyre, duke u vlerësuar nga një juri me emra të njohur të artit dhe spektaklit.
“Roma Romale 2026” nuk është thjesht një festival, është një manifestim i gjallë i një kulture që flet përmes ritmit, ngjyrave dhe historisë së saj të pasur./abcnews.al


