Roma gati për të vendosur bileta për turistët që vizitojnë shatërvanin e Trevit

schedule16:48 - 4 Shtator, 2024

schedule 16:48 - 4 Shtator, 2024

Qyteti i Romës planifikon të vendosë një tarifë bilete për turistët e huaj që duan të hyjnë në një nga monumentet më të njohura në botë: sheshin ikonik me shatërvanin e famshëm Trevi.

Siç raporton gazeta franceze Le Figaro, bashkia e kryeqytetit italian njoftoi këtë të mërkurë se po shqyrton mundësinë e pagesës së një bilete për të hyrë në monument. Një masë në studim për të luftuar mbiturizmin që prek Qytetin e Përjetshëm.

Alessandro Onorato , përgjegjës për turizmin në bashkinë e Romës, tha se autoritetet planifikojnë gjithashtu të vendosin një kufi qëndrimi për vizitorët e huaj që duan të vizitojnë sheshin mbresëlënës ku ndodhet shatërvani barok.

“Unë do të isha në favor të idesë për të konsideruar një lloj të ri aksesi, kohë të kufizuar dhe me një numër fiks (vizitorësh), me një sistem rezervimi,” tha Onorato për të përditshmen italiane Corriere della Sera.

Shatërvani Trevi është një nga pikat turistike më të njohura në mbarë botën. Kryesisht gjatë verës, një luzmë turistësh rrethojnë kryeveprën e shekullit të 18-të.

Legjenda madje thotë se nëse ndiqni një traditë shumë specifike duke përdorur dorën e djathtë për të hedhur një monedhë mbi supin tuaj të majtë, atëherë do të ktheheni në Romë në një moment të jetës tuaj.

Kjo traditë ka vazhduar për qindra vjet me vizitorët që shprehin një dëshirë përpara se të hedhin një monedhë në shatërvan.

Paratë mblidhen dy herë në javë dhe monedhat shkojnë për bamirësi siç tregohet nga tabelat rreth shatërvanit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!