Roma dhe beteja me minjtë

schedule15:59 - 1 Shtator, 2023

schedule 15:59 - 1 Shtator, 2023

Një video e publikuar së fundmi që tregon minjtë duke ngrënë mbeturina pranë Koloseut në Romë ka bërë xhiron e botës duke shkaktuar reagime të forta brenda dhe jashtë vendit. Brejtësit mund të shihen duke shëtitur të pashqetësuar në hapësirën që rrethon monumentin e amfiteatrit para vizitorëve të habitur, ndërsa lulet përreth duken të çrregullta, të pista dhe të ndotura.

Gazeta Corriere della Sera, e cila e publikoi videon në faqen e saj, komenton se është “turp”, ndërsa turistët e intervistuar pyesin nëse bashkia ka ekipe pastrimi dhe thonë se nuk e prisnin kurrë ta shihnin këtë imazh në “Qytetin e Përjetshëm”. Shoqata Federalberghi e hotelierëve të qytetit ka denoncuar gjithashtu imazhet “brutale”, duke thënë se ato turpërojnë Romën në mbarë botën dhe dëmtojnë industrinë e turizmit të vendit.

“Brejtësit në asnjë rrethanë nuk kanë hyrë në zonën arkeologjike”, siguron drejtoresha e saj, Alfonsina Russo, duke shtuar se prej kohësh janë bërë përpjekje për të shfarosur minjtë.

Megjithëse minjtë në kryeqytetin italian nuk janë aspak një fenomen i ri, autoritetet thonë se kanë shtuar përpjekjet për të hequr qafe brejtësit përreth amfiteatrit antik, si dhe pranë parkut Colle Oppio dhe Domusit të lashtë. Por as kjo video nuk është e vetmja, pasi prej muajsh turistët shpërndajnë foto dhe video të minjve nëpër pamjet romake. Zyrtarët sot vlerësojnë se popullsia e minjve të Romës është shtatë milionë, ose dy minj e gjysmë për banor, sipas një zëdhënësi të autoriteteve në një konferencë për shtyp.

Shefja e shërbimit të grumbullimit të plehrave të qytetit, Sabrina Alfonsi, i tha agjencisë së lajmeve Adnkronos se një “ndërhyrje speciale” ishte nisur që në orët e para të së shtunës së kaluar, për të siguruar që njerëzit të mund të kalonin të sigurt rreth atraksionit popullor turistik.

Roma është kthyer në një vendgrumbullim të hapur me mbeturina të të gjitha llojeve, një erë të pakëndshme dhe shtatë milionë minj.

Operacioni do të vazhdojë javën e ardhshme, duke pastruar sipërfaqet e gjelbra përreth Koloseut, kanalet e kanalizimeve dhe vendosjen e kurtheve të brejtësve.

Sipas Reuters, Alfonsi tha se rritja e turistëve që dynden në “Qytetin e Përjetshëm” këtë verë, e kombinuar me valën e të nxehtit, çoi në një rritje të plehrave që favorizuan përhapjen e brejtësve.

Bashkia publikoi foto të stafit të pastrimit duke mbledhur pirgje me shishe plastike me ujë, kanaçe pijesh dhe mbeturina të tjera me një Koloseum të ndriçuar si sfond.

“Ne duhet të pastrojmë qytetin,” tha senatori dhe koordinatori rajonal Claudio Durigon, si dhe këshilltari Davide Bordoni. “Roma është kthyer në një vendgrumbullim të hapur me mbeturina të të gjitha llojeve, një erë të pakëndshme dhe minj që ndjekin njëri-tjetrin. Plehrat, barërat e këqija dhe tullat mesjetare në qendrën historike, a nuk ka turp kryebashkiaku Gualtieri?

Prania e minjve në vende publike është një rrezik serioz për shëndetin, veçanërisht për fëmijët, pasi ata bartin mbi 40 sëmundje infektive, përfshirë salmonelën, tifojen dhe leptospirozën.

18 mijë euro gjobë për vandalizëm

Përveç minjve që enden kërcënues rreth tij dhe plehrave që e ndotin atë, Koloseu mori një tjetër sulm këtë vit. Në veçanti, disa javë më parë një turist nga Britania gdhendi emrin e tij dhe të fejuarës së tij në murin e jashtëm të monumentit me një çelës. Në fakt, ai e ka filmuar aktin e tij dhe e ka shpërndarë në rrjetet sociale. Kritikat që ai mori ishin të ashpra. Pas hetimeve të policisë në bashkëpunim me Federalberghi, i riu u gjet dhe u identifikua si Ivan Dimitrov, 27 vjeç, me origjinë nga Bullgaria dhe banues i përhershëm në Bristol. Në një letër dërguar kryetarit të Romës, Roberto Gualtieri, Dimitrov u kërkon falje “italianëve dhe gjithë botës”, ndërsa pretendon se nuk e dinte se ishte një monument.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!