Roli i gruas dhe vëllait, skema si i mori Lefter Koka miliona euro me firma fiktive për sheqer dhe oriz

schedule20:54 - 16 Dhjetor, 2021

schedule 20:54 - 16 Dhjetor, 2021

Zbulohet dosja që çoi pas hekurave Lefter Kokën. Ish ministri i LSI-së është zyrtari i parë i nivelit të lartë që vihet nën akuzë nga SPAK edhe për korrupsion, përveç shpërdorimit të detyrës dhe pastrim parash.

Po si i përfitoi Lefter Koka 3.7 mln euro, sipas dosjes së SPAK, përmes kompanive “Albtek Energy” dhe “Integrated Technology Services” që u kishte dhënë koncesionin për ndërtimin e incineratorit të Elbasanit?

Sipas dosjes, Lefter Koka ka krijuar në vitin 2016 një rrjet kompanish si: “Pivot 04’, ‘Sili’, ‘Bellar Inert’, ‘J.P.Y’, ‘Deto’, ‘R. B. General Servis’, Ital Beton’ dhe ‘SH. SH’, të lidhura me njëra-tjetrën si dhe të regjistruara në emrin të besuarve të tij, me vendndodhje në Durrës. Ky rrjet kompanish fantazmë ka marrë paratë nga dy kompanitë e inceneratorit, me anë të faturave fiktive, për punime që nuk ekzistonin. Dy kompanitë e inceneratorit i merrnin paratë në buxhetin e shtetit sipas kontratës së koncesionit.

Rrjeti i kompanive të kontrolluara, sipas SPAK, nga Lefter Koka, i kalonin më pas paratë në llogaritë e kompanive të gruas së Lefter Kokës, Klodiana Koka dhe të vëllait të tij. Por, ky nuk është kanali i vetëm i lëvizjes së parave.

Vëllai i Lefter Kokës pjesë e skemës
Në 28 shtator të vitit 2016 është krijuar kompania ‘Pivot 04’, me seli në Durrës, në emër të Arbër Denizit. Kjo kompani ka faturuar dy kompanitë e inceneratorit të Elbasanit në shumat 1.3 milionë euro, por ka arketuar 1.75 milionë euro, pra më shumë se faturimi. Sipas SPAK, të gjitha faturat ishin për kryerje punimesh që në fakt nuk janë realizuar. Pagesa janë bërë në periudhën 28 shtator 2016 deri në janar 2017. Faturat kanë nisur që ditën e regjistrimit të ‘Privot’ në QKB, pra në datën 28 shtator.

Më pas, kompania ‘Pivot 04’ ka bërë blerje tek kompania ‘Sucralba’, me ortak dhe administrator nje nga vellezerit e tij. ‘Sucralba’ e ka selinë tek ‘Kantina e Pijeve’ në pronësi të Lefter Kokës, i cili ka 88 % të aksioneve. ‘Pivot 04’ i kalon kompanisë së vëllait të Lefter Kokës shumat 1 milion euro, për ‘gjoja’ blerje sheqer dhe oriz.

‘Pivot 04’ kishte deklaruar vetëm një punonjës, Klement Oketën, edhe këtë të rremë. Oketa ka deklarua në prokurori se nuk ka asnjë lidhje me këtë kompani. Sipas dosjes, kompania ‘Pivot 04’ që dërgonte paratë tek të afërmit e Lefter Kokës, vijonte të çonte fatura për kryerje punimesh tek dy kompanitë e inceneratorit të Elbasanit deri në dhjetor të vitit 2016, në një kohë kur punimet kishin mbaruar dhe ishin kolauduar që në vitin 2015.

Gjithashtu, ‘Pivot 04’ ka aplikuar për kasë fiskale, duke vendosur edhe një numër telefoni, i cili i përkiste Oligerta Osmanit, që punonte si ekonomiste tek Kantina e Pijeve të Lefter Kokës. Nuk dihet ku kanë përfunduar lekët e tjera të arketuar nga “Pivot 04”.

Në dosje flitet edhe për kompaninë ‘Sili’, krijuar në 23 shator 2016, me seli në Durrës, në emër të Silvestër Driza, i cili i ka shitur aksionet Agim Seferit, një tjetër emër i lidhur me Lefter Koka. Kjo kompani ka marrë nga dy kompanitë e inceneratorëve të Elbasanit shumat 112 milionë lekë ose rreth 1.1 milionë USD dhe 164 mijë euro, për kryerje punimesh, me fatura fiktive. Lëvizja e parave ka ndodhur në periudhën janar-mars 2017. Edhe ‘Sili’ më pas ka ‘blerë sheqer’ tek kompania ‘Sucralba’ e vëllait të Lefter Kokës, duke i dhënë 164 mijë euro. Më pas ‘Sili’ ka gjetur rrugë tjera për t’i kaluar paratë Kokës.

Në skenë gruaja e Lefter Kokës, Brunilda Koka
Në skenë shfaqet bashkëshortja e Lefter Kokës, Brunilda Koka, e cila ka një rol kyç në tërheqjen e parave. Brunilda Koka është pronare e kompanisë ‘Wind Co’. Në 8 shkurt të vitit 2021, Brunilda Koka lidh kontratë me kompaninë ‘Sili’ duke i shitur njësi ndërtimore, pa kalim pronësie, në vlerën 1.2 milionë euro. Rezulton se kompania ‘Sili’, e cila mori para gjoja për kryerje punime tek inceneratori, i ka kaluar kompanisë së gruas së Lefter Kokës, 610 mijë euro. Dhe më pas palët janë likuiduar, pasi Brunilda Koka e ka ulur çmimin e njësove ndërtimore.

Nuk dihet se ku ka përfunduar shuma tjetër që ka marrë ‘Sili’
Kompania ‘Sili’, sipas dosjes, merrej me shitje sheqeri dhe nuk rezulton të ketë kryer kurrë punime në Elbasan. Edhe kjo kompani është përdorur, sipas dosjes, nga Lefter Koka për të marrë paratë. Edhe kompania ‘Sili’ është pajisur me kasë fiskale dhe ka lënë një numër telefoni, i cili i përket Oligerta Osmanit, ekonomiste tek Kantina e Pijeve të Lefter Kokës,

Në skemë sërish Brunilda Koka ‘Bruna pista’
Pjesë e skemës është edhe kompania ‘Bellar Inert’, krijuar në 29 mars 2016, me seli në Durrës, në emër të Ardian Bello, i cili ia ka shitur aksionet Miklovan Xhafës. Kompania ‘Bellar Inert’ ka bërë shitje tek kompania e inceneratorit në vlerën 520 mijë USD, për kryerje punimesh në periudhën 30 maj deri në 25 korrik 2016. Pra, një muaj pasi është themeluar, ka bërë ‘punime’ dhe ‘fatura’.

Kompania kishte vetëm 3 punëtorë. “Businesmeni” Ardian Bello, me pune vinçier pranë hekurudhave, është  babai i Skerdi Bello, i cili punon tek Kantina e Pijeve të Lefter Kokës.

SPAK thotë se nuk ka asnjë dokumentacion që të vërtetojë se kompania ‘Bellar Inert’ të ketë kryer punimeve në Elbasan.

Miklovan Xhafa që ka blerë kompaninë ‘Bellar Inert’ ka autorizuar për të vepruar në emër të kompanisë, Alban Shqipe. Alban Shqipe me leke e kompania i ka blerë gruas së Lefter Kokës, Brunilda Koka, një ndërtesë me vlerë 350 mijë euro. SPAK i ka sekuestruar aparatin telefonik Alban Shqipes, dhe është zbuluar se ka folur disa herë me personin të regjistruara në telefon me emri ‘Bruna pista’, që dyshohet është Brunilda Koka. ‘Pista’ nënkupton pistën që Lefter Koka ka mbi det në Durrës, me vlerë mbi 1.6 milionë euro.

Dalin në pah punonjësit e Lefter Kokës
Më tej shfaqet kompania ‘J.P.Y’ me pronar Mateo Rustani. Në vitin 2020, kompania merr nga kompanitë e inceneratorit 11.340.000 lekë ose rreth 110 mijë USD. Mateo Rustani autorizoi për të vepruar në emrin e kompanisë Tomir Haxhirajn: edhe Haxhiraj punon tek Kantina e Pijeve të Lefter Kokës.

Pjesë e skemës, sipas dosjes, është edhe kompania ‘Deto’, krijuar në 29 mars 2016, gjithashtu me seli në Durrës, me pronar Denis Tola. Në periudhën maji-korrik 2007, kompania ‘Deto’ ka bërë shitje, për kryerje punimesh, tek kompania koncesionare të inceneratorit të Elbasanit, në vlerë 520 mijë USD. Kompania ka vetëm tre punëtorë, dhe sipas SPAK nuk ka kryer asnjë punë në Elbasan.

Rreth 400 mijë USD te tjera kanë kaluar nga koncensionari në llogaritë e kompanisë ‘TGV&T’, në periudhën tetor 2015 deri në maj 2016, për kryerje punimesh. Sipas SPAK, edhe kjo kompani, nuk ka kryer punime në realitet. Kompania me seli në Spitallë kishte si pronar Enis Xhaferin, i cili ka shitur aksionet duke kaluar në duart e disa personave, Ardi Xhaferi dhe Besim Kaçerri. Ardi Xhaferri është shoku i Lefter Kokës. Koka dhe Xhaferi, sipas dosjes, kanë udhëtuar disa herë bashkë jashtë vendit në të njëjtën makinë.

Sipas SPAK, pa bërë asnjë punë Elbasan, ka bërë faturat me vlerë rreth 510 mijë USD, edhe kompania ‘R. B General Servis’, e krijuar në korrik të vitit 2016, me seli në Vlorë. Faturat i përkasin muajit shkurt 2017. Pronar i kompanisë ishte Regan Merdani, i cili ia ka shitur aksionet italianit Roberto Buongiorno’. Regan Merdani, është nipi i Ardi Xhaferit, shok i Lefter Kokës.

Fatura sikur ka krye punime ka paraqitur tek kompania e inceneratorit të Elbasanit, edhe kompania ‘SH. SH’, me vlerë rreth 120 mijë USD. Kompania është thelëmuar në 4 maj 2016, si pjesë e skemës për të marrë paratë. Pronari i kompanisë është Shkëlqim Shtylla. Në momentin kur ka lëshuar këtë faturë, në korrik të vitit 2026, kompania nuk kishte asnjë punëtor./ Shqiptarja.com

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!