Robinho u shpall kampion i Turqisë me Basaksehir sezonin e kaluar, teksa ka vendosur të rikthehet në shtëpi. Sulmuesi brazilian firmosi me Santos, ekip ku është gati të nisë aventurën e katërt në karrierë.
Rroga e tij mujore do të jetë vetëm 230 euro! Pandemia e koronavirusit ka shkaktuar krizë botërore dhe 36-vjeçari ka vendosur të ndihmojë ekipin e tij të zemrës, duke pranuar një rrogë simbolike, diçka që e konfirmon për TMW.
RIKTHIMI – “Jam i lumtur që u ktheva te Santos. Ndodhem në skuadrën time, qytetin tim dhe në klubin që më realizoi ëndrrën për t’u bërë futbollist profesionist. Ndjej një kënaqësi të madhe, nuk arrij t’i gjej fjalët e duhura për ta përshkruar”.
VENDIMI – “Nuk mungonin ofertat nga Evropa, por jam 36 vjeç dhe mendova të kthehem në shtëpi, afër gruas dhe fëmijëve të mi. Nuk jam më një djalë i ri, në kokën time kryesorja është familja”.
230 EURO NË MUAJ – “Është e vërtetë, por sinqerisht nuk më pëlqen shumë të flas në lidhje me këtë temë. Në këtë krizë botërore, të gjithë mund të bëjmë diçka. Santos ka nevojë sot për mua, njësoj siç unë kisha nevojë për Santos në fillimet e mia”.
MILAN – “Kam kaluar 4 vite shumë të bukura tek ai ekip. Shënova mbi 30 gola, fituam një titull të paharrueshëm dhe Superkupën e Italisë. Ishte realisht një Milan i madh, pata fatin të luaja me lojtarë si Pato, Gattuso, Seedorf, Pirlo, Ronaldinho, Thiago Silva, Inzaghi, Kaka dhe Ibrahimovic… ”
IBRAHIMOVIC – “Po shkon 40 vjeç, por nuk befasohem që e shoh akoma në nivele të larta. Ibra ka qenë gjithmonë një profesionist ekzemplar, ai jeton vetëm për të luajtur futboll. Para nderin të stërvitesh dhe të luaja me të te Milani, të rinjtë kanë shansin të mësojnë shumë nga Zlatan, edhe në aspektin karakterial”. /abcnews.al