Anglia nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola në ndeshjen e sotme ndaj Skocisë. Betejë, duele, shumë raste, por asnjë gol në sfidën e grupit D të Euro 2020 që u luajt në stadiumin “Wembley” të Londrës.
Një barazim që vlen në këtë fazë të turneut dhe “Tre Luanët” numërojnë 4 pikë pas dy ndeshjeve të para. Sfida e fundit, që luhet për vendin e parë në grup, do të jetë përballë Çekisë.
Pas ndeshjes folën Harry Kane dhe Andrew Robertson. Kapiteni i Anglisë dhe Tottenham, u largua nga fusha në minutën e 74-t për t’i lënë vendin Markus Rashford.
Zëvendësimi i dytë radhazi për sulmuesin, por një gjë e tillë nuk është aspak problem. “Jo, nuk jam i befasuar nga vendimi i trajnerit për të më zëvendësuar. Ai bën zgjidhjet dhe ne duhet t’i pranojmë.
Ndeshja? Ishte e vështirë, u zhvillua një lojë e ashpër. Skocia u mbrojt mirë, ky është futbolli. Asnjë ndeshje nuk është e thjeshtë në Euro 2020, u vërtetua edhe sonte. Le të mendojmë për ndeshjen e radhës tani“, deklaroi Harry Kane.
Më pas e mori fjalën mbrojtësi i majtë i Liverpool, i cili mban shiritin e kapitenit te Skocia. “Krijuam raste të shkëlqyera, ishim mirë me qarkullimin e topit në disa raste, por mund të kishim marrë më shumë se një pikë.
Gjithsesi, kjo është një pikë që na mban gjallë dhe është e rëndësishme që e kemi edhe një mundësi për t’u kualifikuar“, theksoi Andrew Robertson. /abcnews.al