Rizgjedhja e Mattarellës, klasa politike egoiste italiane e shmangu katastrofën në minutën e fundit

schedule09:53 - 31 Janar, 2022

schedule 09:53 - 31 Janar, 2022

Nga Tony Barber “Financial Times” 

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Do të duhej një përpjekje e veçantë për t’i bërë të duken në një pozitë të mirë politikanët e Republikës së Parë të Italisë. Por gjatë javës së kaluar, politikanët e Republikës së Dytë ia dolën që të duken të tillë.

Procesi nëpërmjet të cilit, ata e rizgjodhën Sergio Mattarella-n si presidentin e Italisë, nxori në pah një klasë politike që është thellësisht në kundërshtim me vetveten, por me një interes të përbashkët egoist për mbijetesën e vet. Rizgjedhja në detyrë e Mattarellës, shmangu për momentin një katastrofë të afërt: rënien e qeverisë reformiste të kryeministrit Mario Draghit.

Por ky moment la pas dyshime të mëdha, nëse politikanët profesionistë të Italisë, që po kryejnë manovra të ndryshme për të pasur një avantazh paraprak përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm, janë apo jo të aftë që të kenë një ndjenjë më të

lartë përgjegjësie për vendin, që aktualisht gjendet në një pikë kritike të zhvillimit të tij.

Republika e Parë, është termi jozyrtar që përdoret për të përshkruar sistemin politik, që e qeverisi Italinë që nga pasojat e Luftës së Dytë Botërore, dhe deri në fillimin e viteve 1990, kur ajo u shemb pas një mega-skandali korrupsioni dhe disa skandaleve të tjera.

Republika e Dytë, e cila gjatë 30 viteve të fundit ka kaluar nga kriza në krizë, supozohej të përfaqësonte një fillim të ri për politikën italiane. Megjithatë ngjarjet e javës së kaluar tregojnë mangësitë e mëdha të partive politike të Republikës së Dytë, qofshin ato relativisht të vjetra, si LEGA e të djathtës ekstreme, apo parti relativisht të reja, si Lëvizja Pesë Yjet dikur anti-establishment.

Demokracia italiane ka filluar të mbështetet gjithnjë e më shumë për udhëheqje dhe stabilitet tek talenti dhe pjekuria e figurave jo-politike, si Mario Draghi, të cilët janë ngjitur në krye vetëm për ta mbajtur vendin në kursin e duhur, pasi politikanët e zgjedhur me votë nuk mund ta bëjnë vetë këtë gjë.

Partnerët e Italisë në Bashkimin Evropian dhe tregjet financiare, do të lehtësohen jo pak nga fakti se për rreth 12 muajt e ardhshëm, Draghi do të jetë në gjendje të konsolidojë reformat që ka nisur që kur u bë kryeministër i vendit një vit më parë.

Këto reforma, që bazohen tek shuma prej afro 200 miliardë eurosh, e cila u vendos në dispozicion të Italisë nga fondi i BE-së për rimëkëmbjen nga pandemia e Covid-19 prej 750 miliardë eurosh, janë një mundësi e madhe për të nxitur rritjen ekonomike, hapjen e vendeve të reja të punës, dhe inovacionin në një ekonomi që ka ngecur në stanjacion dhe që ka një borxh të lartë publik që nga vitet 1990.

Madje mund të ndodhë që Sergio Mattarella, të shërbejë vetëm për një pjesë të mandatit të tij të dytë 7-vjeçar, duke i dhënë Mario Draghit shansin për të shkuar në presidencë, dhe për të vazhduar nga aty mbikëqyrjen e reformave të mëdha.

Megjithatë, një rezultat i tillë nuk është aspak i garantuar, dhe do të linte ende të hapur pyetjen, se sa do të ketë një angazhim të sinqertë për reforma çdo lloj qeverie që do të formohet pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.

Ishte shumë mbresëlënëse të shihje politikanët italianë që duartrokisnin veten të shtunën, pasi në raundin e tetë të votimit brenda një jave, ata u bashkuan më në fund rreth kandidaturës së Mattarellës. Sepse ngërçi i mëparshëm, nënvizoi përçarjen e thelle të qeverisë së “unitetit kombëtar” të Draghit.

Jo më kot Enrico Letta , kreu i Partisë Demokratike të qendrës së majtë, u ankua se zgjedhjet presidenciale zbuluan “një sistem politik që është i bllokuar”, dhe që “nuk po funksionon”.

Ashtu si Giorgio Napolitano, që në vitin 2013 ra dakord të shërbente për një mandat të dytë si president pas shumë hezitimesh, edhe Mattarella nuk donte të ri-zgjidhej në detyrë.

Por partitë politike nuk mundën të gjenin askënd tjetër nga radhët e tyre, me një staturë kombëtare dhe me një konsensus ndërpartiak për të zëvendësuar Mattarellën. Në fund, ata ranë dakord për një mandat të dytë për presidentin 80-vjeçar, vetëm sepse kishin frikë se çdo hap tjetër mund të shkaktonte rënien e qeverisë së Mario Draghit, dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Për shumë prej tyre, kjo mbartte rrezikun e më pak vendeve në parlamentin e ri, si dhe të humbjes së pushtetit, privilegjeve dhe pensioneve të majme. Mes këtyre përllogaritjeve të interesit vetjak, njëra nga partitë po krijon një rrugë të veçantë.

Ajo është partia e ekstremit të djathtë Fratelli D’Italia (Vëllezërit Italianë), të udhëhequr nga Giorgia Meloni. Ajo është e vetmja parti e madhe që refuzoi t’i bashkohet qeverisë së Draghit, dhe sondazhet tregojnë se është aktualisht partia më popullore në kampin e djathtë. Italia mund të jetë gati një vit larg, kur do të duhet të vendosë nëse do të ketë apo jo kryeministrin e saj të parë të së djathtës ekstreme në epokën e pasluftës. /Abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!