Ish-futbollisti Florian Riza, ka folur në lidhje Skype me emisionin Studio Sprint në ABC News. Në bisedën e tij me moderatorin e emisionin, Gerti Çarçani, Riza u shpreh:
STËRVITJET – “Pjesa më e madhe e sportistëve janë profesionistë të vërtetë, me sa kam parë stërvitjet individuale nuk kanë munguar. Kjo është diçka që më bën të kuptoj që edhe brenda një kohe shumë të shkurtër, mund të vijnë në formën e duhur. 2 muaj larg fushave janë shumë, gjithsesi mendoj se stërvitjet nuk kanë munguar dhe do të kenë mundësinë të rikthehen në stërvitje direkt, pa një fazë përgatitore”.
ARBITRIMI – “Unë besoj se një nga elemente kryesor në arbitrim, është përgatitja fizike e tyre. Nëse janë të përgatitur fizikisht, edhe vendimet i marrin të sakta. Polemikat ndodhin në raste kundërsulmi, pasi arbitrat duhet të jenë sa më afër. Nëse përgatitja e tij fizike nuk është e duhura, vendimet janë më të vështira. Por si arbitrat, dhe futbollistët, janë profesionistë dhe kanë bërë stërvitje individuale”.
LEXO EDHE: Riza u prek nga koronavirusi, si e injoroi shërbimi i urgjencës
TITULLI – “Ndoshta momenti ishte i Tiranës dhe mund të vazhdonte me ritmin që kishte. Fitoret radhazi mund të vazhdonin, por gjithsesi, nëse e marrim të mirëqenë që të gjitha ekipet nuk do të jenë në formë optimale, gara do të jetë e drejtë për të gjitha ekipet. Nuk besoj se një ekip për një kohë shumë të gjatë në nivelin e tij, të ngrihet pas dy muajsh pushim”.
EUROPIANI I FEMRAVE – “Është shtyrë, për arsyet që dihet, megjithatë, UEFA ka vendosur t’i zhvillojë të dy Europianët. Bëhet fjalë për një rritje të madhe të futbollit të femrave dhe besoj se kjo do ta nxisë më tepër publikun europian për të qenë prezent në stadiumet e Anglisë, në 2021-in. Do të jetë diçka fantastike, po ashtu edhe për Federatat e vogla, pasi futbolli i femrave mund të luhet shumë mirë. Jo të jenë prioritet i Federatave si Federata jonë, por të jenë një diçka e bukur për të gjithë opinionin dhe publikun”, përfundoi Riza./abcnews.al