Frika nga Coronavirusi ka bërë që klubi argjentinas i River Plate të vendosë të mos paraqitet në ndeshjen që luhet sonte, kundër Atletico Tucumana. Ky vendim pritet të ketë pasoja për gjigantin argjentinas dhe Superliga Argentina de Futbol e ka paralajmëruar diçka të tillë.
Në një komunikatë zyrtare shprehen se autoritetet shtetërorë mendojnë se mund të luhet lirisht futboll, pasi në Argjentinë nuk ka probleme me COVID-19. Për këtë arsye nuk shihet e arsyeshme që të vendoset për ndalimin e kampionatit.
“Futbollistët mund ta kryejnë punën e tyre normalisht, siç bëjnë mijëra argjentinas çdo ditë në fabrika, spitale dhe në shumë vende të tjera. Në futbollin tonë nuk mund të ketë vend për pozicionime të njëanshme.
Qëndrimi i marrë nga një klub do t’i nënshtrohet sanksioneve. Rregullorja është e qartë dhe të gjithë duhet ta zbatojnë, mbi të gjitha kur autoritetet nuk gjejnë arsye për të pezulluar ndeshjet”, thuhet në një pjesë të deklaratës së Superliga Argentina de Futbol. /abcnews.al