Senegali do të zhvillojë sot në orën 14:00 një miqësore me Brazilin. Kalidou Koulibaly është ndalur te Napoli gjatë konferencës për shtyp, duke zbuluar objektivat dhe ambiciet e ekipit të tij.
Muri i mbrojtjes së nënkampionëve të Italisë sheh Juventusin si rivalin për t’u mundur, komenton ecurinë në Champions, aty ku Napoli numëron 4 pikë pas dy ndeshjeve të para dhe e mbyll me një koment për të ardhmen e tij.
SERIE A – “Duam të mposhtim më të mirët dhe të fitojmë titullin. Këtë vit do të jetë edhe më e vështirë, rivaliteti është shtuar dhe skuadrat janë përforcuar. Juventusi mbetet ekipi për t’u mundur. Nuk e kemi nisur mirë kampionatin dhe duhet të përmirësohemi ende. Qëllimi ynë është që t’i afrohemi Juves me pikë.”
CHAMPIONS – “Duam ta mbyllim sa më shpejt çështjen e kualifikimit. Na vjen keq që nuk fituam me Genkun, por ky është futbolli. E ardhmja? Jam mësuar me zërat e merkatos. Dalin shumë lajme që flasin për një largim timin, por në këtë moment jam i përqendruar për të fituar me Napolin. Pjesa tjetër nuk më intereson.” /abcnews.al