Pas një ndërprerje nga Pandemia, këtë të shtune, më 17 Korrik, Jurgen Uldedaj (13-0-0), kampioni aktual botëror i dyfishtë në “WBO Youth” dhe “WBC Youth” deri 24 vjeç, në peshën Cruiserweight do të mbrojë titullin “WBC Youth Champion“ kundër boksierit nga Ukraina, Dymitr Serguta (7-1-0).
Rivali i tij nga Kievi, është një kundërshtar shumë serioz me shtatë nokaute në shtatë luftimet e tij fitimtare. Jurgen Uldedaj, edhe pse është pjesë e klubit gjerman “SES Boxing”, lufton për ngjyrat e flamurit tonë kombëtar në ring.
23-vjeçari lezhian është shqiptari i vetëm që mban dy tituj botërorë në dy federatat më të rëndësishme të boksit profesionist: WBO dhe WBC.
Me promotor Ulf Steinforth dhe nën drejtimin e trajnerit të tij, Dirk Dzemski, Uldedaj është në majat e ringut botëror, duke u rankuar në top 15 më të mirët në botë për peshën Cruiser, aktualisht i listuar i 11-ti në WBO dhe i 10ti në WBC.
Transmetim televiziv i duelit me Serguta (nesër, e shtunë): nga MDR – “SPORT im Osten – drejtpërdrejtë” në orën 22:35. /abcnews.al