Ish-deputeti i PS Gjergj Koja deklaroi në “Log.” në ABC se sot askush në radhët e opozitës nuk po i del në mbrojtje presidentit. Ai theksoi se deklaratat e Metës i kanë prishur punë LSI dhe vetë partisë Demokratike.
“Nuk po del askush ta mbrojë presidentin. Alertin e parë e dha kryetarja e LSI e cila është shprehur diku se me ndërhyrjet e presidentit po i prishet punë edhe asaj. Pa dyshim që i ka prishur punë edhe vetë Partisë Demokratike. Ndikimi ishte i prekshëm. Diferenca në mandate e ka brenda edhe qëndrimin e presidentit”, deklaroi Koja.
Ndërsa ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani u shpreh se PD duhet të futet në zgjedhje e vetme duke nënvizuar se aleanca me LSI e ka dëmtuar që prej vitit 2009.
“PD ka të gjithë të drejtën të hyjë në zgjedhje për t’i fituar e vetme. LSI mori ato vota që meritoi të merrte. Rama e orientoi fushatën në atë formë që e dëmtoi PD. Jo sot por që nga koalicioni në vitin 2009.
Nëse do çonte vendin në zgjedhje atëherë do kishte bërë më mirë. Duke qenë se kredoja e PD në atë kohë ka qenë lufta kundër korrupsionit. Ajo ka qenë një aleancë që e ka dëmtuar PD që atëherë e në vazhdim”, u shpreh Ristani./mv.abcnews.al