Emisioni VETTING
Sot, shpresën e rimëkëmbjes së rafinerisë në agoni, e mban në jetë interesi i naftëtarëve të saj. Flasin për të si të qe një qenie e gjallë e duket sikur të kenë nënshkruar ndonjë marrëveshje reciproke, se mund të mbështeten të njëri-tjetri në kohëra të vështira. Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës për ta simbolizon historinë por edhe të ardhmen e qytetit. Siç thonë, në shumë raste ka qenë për ta “fanari”, që u diktonte të rinjve të Ballshit, rrugën e kthimit.
Dy vite pa punuar në uzinë, janë pak për të zbehur gjurmët e gazolinës në lëkurën e naftëtarëve. Shumë pak për të fshirë ndikimin që ka pasur ajo punë në shëndetin e tyre, duke provokuar një sërë sëmundjesh të rënda . Më fatlumët arrijnë të mbijetojnë me to. Ndërsa të tjerë, si bashkëshortja e naftëtarit Xhevit Agalliu, nuk ia kanë dalë.
Bashkë me punonjësit e minierave, naftëtarët janë kategoria më e rrezikuar, sipas të dhënave të ofruara për “Vetting” nga Inspektoriati i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore. Mesatarisht 6 prej tyre humbasin jetën në vendin e punës çdo vit. Ndërsa kushtet e vështira të punës, dhe mungesa e sigurisë edhe prej infrastrukturës së vjetëruar janë një shkas më shumë, pas 34 të aksidentuarve në vit në dy sektorët.
Një nga aksidentet më të fundit në industrinë e naftës, u shënjua këtë 3 maj në zonën e quajtur “Qafa e Kashit” në Ballsh. Në atë që duhet të ishte një operacion rutinë i pastrimit të pusit të naftës nëpërmjet pompave, ndodhi një shpërthim i depos së dekantimit, ku u lëndua punonjësi 50-vjeçar V.B. Firma private “Anio Oil” menjëherë bllokoi rrugicën për në vendngjarje, ndërkohë që punonjësit nuk pranuan asnjë lloj komunikimi me mediat.
“Është buka e gojës”, përsërisnin vazhdimisht jashtë kamerës, duke mos pritur as ata vetë asnjë lloj befasie nga rezultati i grupit hetimor, që në shumicën e rasteve, për koiçidencë është i njëjtë: aksidenti shkaktohet nga pakujdesia e punonjësve! Viktimat janë fajtorë!
Si përgjegjës për kontrollin administrativ, në rastet që hetohen, thirren nga Prokuroria dhe inspektorët e punës. Ndonëse siç tregon drejtuesi Ardit kaja, sektori i minierave dhe i industrisë së naftës janë më të saksionuarit në masën 6 përqind nga viti 2013, kundrejt 1 përqindshit që përbëjnë të gjithë sektorët e tjerë, inspektimet kanë hasur dhe në pengesa.
………..
Shënim. Ky investigim është prodhuar në kuadër të suportit financiar të dhënë nga projekti Investigative Network Albania (INA), një iniciativë e përbashkët e Albania Quality Journalism, Albanian Media Institute / Instituti Shqiptar i Medias dhe Qendra Fol, mbështetur nga U.S. Embassy-Tirana, e cila ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të gazetarisë hulumtuese në nivel lokal dhe kombëtar.
/ Abcnews.al