Risia e re e topit të Evropianit, “Fussballliebe” tregon “vetë” kur lojtari e prek topin me dorë

schedule19:36 - 4 Dhjetor, 2023

schedule 19:36 - 4 Dhjetor, 2023

Topi me të cilin do të luhet EURO 2024, do të zgjidhë një nga telashet më të mëdha të gjyqtarëve, prekjet e sferës me dorë në zonë për të dhënë vendime rreth penalltive të mundshme. UEFA ka investuar për një teknologji të re që do të aplikohet në modelin “Fussballiebe”, për të bërë të mundur që gjyqtarët të marrin vendime më të sakta dhe më të shpejta.

Në topin e prodhuar nga “Adidas” është i vendosur një çip, i cili sipas “The Times”, ka lidhje edhe me pjesën e mbulesës sferike, por pa ndikuar mënyrën se si lojtarët e godasin atë, apo me trajektoren që do të marrë ai.

Sistemi i ri teknologjik, do të ndihmojë sallën e “VAR” që brenda një periudhe kohore shumë të shpejtë, të ndërtohet falë edhe kamerave të vendosura në stadium, një model 3D i lojtarit dhe gjymtyrëve të tij që kanë prekur sferën gjatë lëvizjes që ka kryer ajo. Në këtë mënyrë, do të bëhet i dukshëm brenda pak çastesh edhe devijimi më i vogël që mund të ketë pësuar topi, pa pasur nevojë që të pritet këndi i duhur i kamerave për të gjykuar rastin përkatës.

Kështu, do të shmanget një nga situatat më problematike dhe polemizuese në futboll, pasi rregulli i prekjes së topit me dorë në zonë, është ai i cili nuk resht kurrë së prodhuari debate mes tifozëve. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!