Risi në Shqipëri, Bashkia e Beratit planifikon të përfshijë të rinjtë në diskutimet për buxhetin

schedule17:48 - 6 Nëntor, 2022

schedule 17:48 - 6 Nëntor, 2022

Bashkia e Beratit në bashkëpunim ne shoqërinë civile CIP, ka menduar të sjellë një risi në projektbuxhetin e këtij viti, ku në plan të parë janë të rinjtë.

Sipas asaj që theksojnë kryebashkiaku i Beratit Ervin Demo dhe drejtuesi i CIP, Gerti Shella, të rinjtë do të kenë mundësi që të përfshihen më shumë në diskutimet për projektbuxhetin e bashkisë, ku secili prej tyre do të japë mendimin e tij se ku duhet të shkojnë fondet dhe se si mund të përdoren më mirë taksat.

“Një model i sapo-krijuar në Berat, të cilin shpresojmë ta përhapim në të gjitha bashkitë e vendit. Takimi i zhvilluar në Berat nën kujdesin e plotë të Kryetarit të Bashkisë hap një format të ri komunikimi me të rinj, brenda kornizës së të drejtave që atyre ju garantohen me ligj.

Jemi shumë të kënaqur që lehtësuam këtë komunikim, në bashkërendim me Qendrën Multifunksionale Rinore të Beratit. Një falenderim i veçantë për drejtuesen e kësaj Qendre, znj. Fitore Sulejmani e cila me dedikimin e saj i ka dhënë zë të rinjve”, shkruan Shella në pasqyrimin e këtij aktiviteti.

Ligji për “Rininë” ka shumë hapësira për përfshirjen e të rinjve në debate dhe diskutime për zhvillimin e infrastrukturës rinore, buxhetet për ta në zhvillimin e projekteve të ndryshme, por edhe për krijimin e këshillave rinore.