Rishkrimi i historisë dhe trajtimi i Skënderbeut si rrenegat, Xhufi: Ka fonde të pahapura

schedule21:15 - 13 Nëntor, 2021

schedule 21:15 - 13 Nëntor, 2021

Vështirësitë për të zbardhur kalimin nga Antikiteti në Mesjetën e Hershme, periudhë e cila mbulohet në rishkrimin e historisë nga akademiku Pëllumb Xhufi, ndonëse ndihen në të gjithë Europën, në vendin tonë thellohen. Nga ana tjetër mungesa e investimit te specialistët e osmanishtes përkthehet në regjistra e defterë që po analizohen me ritme çalamane.

Me fonde të huaja arkivore ende të pashfrytëzuara, “Historia e shqiptarëve” , nuk pritet të mbyllë procesin e shkrimit të historisë sonë, por ta çojë atë në drejtimin e duhur.

Pavarësisht mangësive që evidenton akademiku, në tekstin e Akademisë për periudhën e Mesjetës do të pasqyrohen jo vetëm zbulimet e kolosëve  të historisë e arkeologjisë që punuan gjatë komunizmit, por edhe risitë më të rëndësishme të  këtyre tri dekadave. Edhe për periudhën osmane, të drejtuar nga studiuesi Ferit Duka, si një nga më të diskutuarat pritet të ketë një qasje më faktike, por edhe përballje me tezat e studiuesve të huaj. .. Edhe pse nuk kanë munguar rastet, kur veçanërisht sa i përket shteteve ish-pushtuese të Shqipërisë, studiuesit e huaj, kanë paraqitur një variant të historisë, që sipas historiografëve tanë nuk i afrohet realitetit. Kështu në disa prej botimeve turke të historisë, perandoria Osmane nuk paraqitet si pushtuese në Shqipëri, por si aleate që ka investuar. E madje edhe vetë Gjergj Kastriot Skënderbeu trajtohet si rrenegat.

Ndonëse, në 2 mars të këtij viti në fletoren zyrtare u publikua një marrëveshje për “shkëmbim përvojash në hartimin dhe përmirësimin e materialeve arsimore” mes Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe u shtua gjuha turke si lëndë me zgjedhje, sa i përket interpretimit të personazheve e ngjarjeve tona historike në botimet turke, nuk ka pasur një qëndrim zyrtar të institucioneve tona, përveçse debatit mediatik. Në këtë drejtim teksti “Historia e shqiptarëve” sipas Xhufit, përmes përmbajtjes shkencore edhe autoritetit që i jep emri i Akademisë së Shkencave pritet të vendosë pikat mbi “i”,  si referenca më e rëndësishme për studiuesit e huaj. Por, fryma e diskutimeve sipas tij, duhet të mbetet e lirë . /Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!