Nuk ka qenë e lehtë të depërtojë deri në ekipin e parë.
Adrian Bajrami më shumë është besuar për të luajtur në skuadrën B të Benfikës, por gjithsesi klubi portugez ka besim tek ai.
Mbrojtësi i qendrës rinovoi kontratën dhe këtë e beri në një afat të gjatë, deri në 2029, pra është e qartë se drejtuesit mendojnë se ai do të jetë i rëndësishëm në të ardhmen.
Futbollisti 22-vjeçar, që është pjesë e kombëtares shqiptare, është bashkuar me “shqiponjat” e Lisbonës që në 2018, kur ishte ende 16 vjeç.
Padyshim që ai ishte i lumtur, ndërsa foli për televizionin e klubit.
“Një ditë shumë e lumtur për mua, dhe për familjen time. Jam jashtëzakonisht krenar. Dua të falenderoj familjen dhe çdo pjesëtar të klubit. Jam mirënjohës për besimin që më kanë dhënë, dhe do të vazhdoj të punoj fort. Dua të përmirësohem çdo ditë dhe të fitoj gjithçka të mundshme”.
Adrian Bajrami luajti 55 ndeshje dhe shënoi 4 gola për Benfikën B, ndërsa është grumbulluar edhe në ekipin e parë, ndërsa shpreson të aktivizohet më shumë me gjigandët e Portugalisë./abcnews.al