Elseid Hysaj del lojtar i lirë më 30 qershor, ditë kur i përfundon kontrata me Napolin. Agjenti i tij, Mario Giuffredi po negocion me klube të ndryshme, teksa sot doli lajmi në mediat italiane në lidhje me mundësinë e rinovimit.
Il Mattino shkruan se presidenti De Laurentiis po përgatit një ofertë të re për mbrojtësin shkodran të kombëtares shqiptare. Në lidhje me këtë çështje ka folur Giuffredi për Radio Punto Nuovo, duke mos e mohuar opsionin e rinovimit.
“Nuk kam marrë asnjë telefonatë nga Napoli, nuk bisedoj me drejtuesit prej kohësh. Ndodhem në bisedime dhe negociata me klube të tjera, por ndoshta do të na kontaktojë presidenti i Napolit pas takimit me Veronën.
Akoma nuk dihet se kush do të jetë trajneri i ri i Napolit. Ne nuk kemi firmosur asnjë parakontratë me ndonjë klub tjetër. Sigurisht që do e vlerësojmë edhe propozimin që mund të na bëjë Napoli. Qëndrimi nuk përjashtohet“, deklaroi Giuffredi. /abcnews.al