Rinovimi i Rafael Leaos dhe Milanit tani duket vërtet i vështirë. Negociatat u ndërprenë menjëherë pas bisedimeve në fund të nëntorit dhe fillim të dhjetorit midis klubit italian dhe shoqëruesve të lojtarit.
Maldini dhe Massara janë të irrituar dhe numri 17-të ka humbur performancën e tij të shkëlqyer në fushë. Siç raporton “Gazzetta dello Sport”, Leao dhe agjentët e tij dëshirojnë që në kontratën e re të përgjysmohet klauzola e largimit, pra mos të jetë më 150 milionë euro.
Milani nga ana tjetër dëshiron që të mbajë klauzolën prej 150 milionë euro, ndërsa Leao vazhdon të kërkojë përgjysmimin e saj. Marrëdhëniet gjithashtu janë të vështira për t’u mbajtur mes Maldinit dhe shoqëruesve të lojtarit të përbërë nga Jorge Mendes, avokati Ted Dimvula dhe babai i lojtarit.
Ndaj është bllokuar rinovimi i kontratës që skadon në fund të vitit 2024 dhe situata duket vërtet e vështirë për t’u zhbllokuar./ h.ll/abcnews.al