Paulo Dybala ndihet mirë në Torino dhe dëshiron të zgjasë kontratën me Juventusin. Aktualja përfundon në verën e vitit 2022, ndërsa bashkëpunimi i ri do të zgjasë deri në vitin 2025.
Sportmediaset raporton se fantazisti argjentinas kërkon dyfishimin e rrogës. Aktualisht përfiton 7.3 milion euro në sezon, por tre lojtarë bardhezi përfitojnë më shumë se ai. Në krye është Cristiano Ronaldo me një diferencë të frikshme me të tjerët.
Portugezi fiton 31 milion euro neto në sezon, ndërsa më pas vjen De Ligt me 8 milion të tilla. Vendi i tretë ndahet mes Higuain dhe Pjanic, të dy me nga 7.5 milion euro rrogë sezonale. Dybala dëshiron të ndihet i vlerësuar dhe ka kërkuar 15 milion euro rrogë sezonale.
Rritje do të ketë, por kampionët e Italisë ofrojnë deri në 11-12 milion euro. Akordi pritet të arrihet për këtë shifër, që do e kthente argjentinasin në lojtarin me rrogë më të madhe në skuadër, gjithmonë pas CR7. /abcnews.al