Rinovimi, Atalanta, kërkesa për ekipin dhe Ibrahimovic: Rrëfehet Stefano Pioli

schedule19:44 - 23 Korrik, 2020

schedule 19:44 - 23 Korrik, 2020

Milan po kalon momentin më të mirë të sezonit, por nesër në mbrëmje do të ketë përballë Atalantën (21:45), një nga rivalët më të fortë në Serie A. Kuqezinjtë numërojnë shtatë fitore dhe dy barazime në nëntë ndeshjet e fundit, dhe duan të konfirmohen kundër ekipit të Gasperinit.

Puna e mirë e Stefano Piolit ka sjellë konfirmimin e tij në stolin e Milanit. 54-vjeçari ka rinovuar deri në vitin 2022, me opsion edhe për një vit tjetër. Në konferencën për shtyp, Pioli ka prekur disa tema, duke nisur nga Atalanta, skuadra e tij dhe objektivi për të mbyllur sezonin në vend të pestë.

RINOVIMI – “Po përpiqem të mos e mbaj mendjen te rinovimi, që ishte ajo që doja dhe shpresoja të ndodhte. Nesër kemi një ndeshje delikate dhe të rëndësishme, për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Jam i përqendruar në mbylljen e këtij sezoni, më pas do të mendoj për sezonin pasardhës dhe kënaqësinë që do të jem sërish trajner i Milanit”.

STATISTIKA – “Atalanta nuk humbet në ‘San Siro’ prej vitit 2014? Nuk mendoj se kemi nevojë për statistika për t’u motivuar dhe për të vijuar me momentin e mirë që po kalojmë. Jemi të vetëdijshëm për vështirësinë e kësaj sfide dhe forcën e ekipit kundërshtar. Gjithsesi, ne jemi Milani, ndodhemi në formë dhe jemi gati për të luajtur një ndeshje të madhe”.

KUNDËRSHTARI – “Mendoj se aspektet më të rëndësishme të tyre janë: vazhdimësia dhe bindja që kanë kur zbresin në fushë. Janë aktivë dhe agresivë gjatë gjithë lojës, cilësi që i kombinojnë me një kualitet të lartë. Respekt për repartin e tyre ofensiv dhe admirim për punën që po bëjnë”.

SKUADRA – “Mungesa e Theo Hernandez është shumë e rëndësishme, ai kombinon në perfeksion aftësitë fizike në fazën sulmuese me pjesëmarrjen në fazën mbrojtëse. Skuadra ime po rritet, po përballemi me vendosmëri dhe mentalitetin e duhur kundër të gjithëve. Kërkoj një gjë nga djemtë, gjithmonë duhet të tentojmë të parakalojmë ekipet që renditen sipër nesh”.

IBRAHIMOVIC – “Kontributi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm, nga pikëpamja teknike, motivuese dhe ajo e karakterit. Kemi mjaft kohë për të menduar dhe kuptuar se çfarë zgjedhjesh mund të bëjmë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!