Rinisje e bisedimeve me Azerbajxhanin, Bliken bisedon me kryeministrin armen

schedule22:49 - 18 Janar, 2023

schedule 22:49 - 18 Janar, 2023

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, bisedoi me kryeministri e Armenisë, Nikol Pashinian, për hapat që do të rinisnin bisedimet dypalëshe me Azerbajxhanin. Ky takim vjen në kohën e përshkallëzimit të tensioneve mes Jerevanit dhe Bakusë për shkak të bllokadës në rrugën e vetme që e lidh Armeninë me rajonin e shkëputur të Nagorno-Krabakut.

Blinken “shprehu shqetësimin e thellë lidhur me përkeqësimin e situatës humanitare në Nagorno-Karabak që është shkaktuar si rezultat i bllokimit të korridorit të Laçinit”, tha Departamenti amerikan i Shtetit përmes një deklarate.

“Ai po ashtu riafirmoi përkushtimin e SHBA-së për të mbështetur përpjekjet që çojnë drejt një paqeje afatgjatë dhe për forcimin e raporteve tona dypalëshe”, shtoi DASH-i.

Biseda telefonike midis Blinken dhe Pashinian vjen pasi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Kremlini është i gatshëm të dërgojë në kufi midis Armenisë dhe Azerbajxhanit një mision të Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive (CSTO), që udhëhiqet nga Rusia.

Në këtë organizatë po ashtu bëjnë pjesë Bjellorusia, Kazakistani, Kirgizia dhe Taxhikistani.

Jerevani insiston që CSTO-ja të dënojë veprimet e Azerbajxhanit. Ai po ashtu akuzon Qeverinë azerbajxhanase se mbështet protestuesit, që janë identifikuar si aktivistë mjedisorë, të cilët që nga muaji i kaluar kanë bllokuar korridorin e Laçinit.

Armenia ka thënë se bllokimi i kësaj rruge është shkelje e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Rusia në nëntor të vitit 2020, që ndërpreu luftimet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, shtete që për dekada luftojnë lidhur me territorin e Nagorno-Karabakut dhe qarqeve përreth.

Nga lufta më 2020 vdiqën afër 7.000 persona nga të dyja palët. Lufta përfundoi pasi Bakuja rimori kontrollin e një pjese të madhe të rajonit dhe shtatë qarqeve që për tri dekada kishin qenë nën kontrollin e armenëve etnikë.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, 2.000 trupa paqeruajtëse u dislokuan në këtë zonë për të monitoruar situatën.

Armenia e ka akuzuar Azerbajxhanin se ka marrë kontrollin e dhjetëra kilometrave katror të territorit sovran armen përmes një serie inkursionesh që nga maji i vitit 2021. Azerbajxhani mohon këto akuza.

Nagrono-Karabaku ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit./REL